Kulturë

Murali i Banksyt shitet për 130 mijë dollarë

Londër, 21 janar - Një mural i realizuar nga artisti anonim britanik i artit në hapësira publike, i njohur me nofkën Banksy - që vë në pah një fëmijë, i cili shijon rënien e borës derisa në të vërtetë është mbetje e ndotjes nga një kazan i djegur - ka zgjuar interesim të madh. Murali i është shitur një tregtari të artit nga Britania e Madhe, për shumën prej 130 mijë dollarësh.

Në njërën anë, murali i titulluar “Season’s Greetings” (Përshëndetjet e sezonit), i realizuar në një garazh betoni në Wells, shpërfaq një djalë të vogël që mundohet t’i lëpijë me gjuhë fjollat e borës që bien, derisa po të shikohet nga ana tjetër e murit rezulton se fjollat e borës në të vërtetë janë mbetjet e hirit nga një kazan industrial.

“Blerja e tij më kushtoi një shumë gjashtëshifrore”, ka thënë John Brandler nga “Brander’s Galleries”, në një lidhje telefonike për “Reuters”.

“Do t’ia huazoj qytetit Port Talbot për një periudhë së paku dy apo trevjeçare. Por fillimisht dua ta përdor atë si një qendër arti, që do të sjellë në Port Talbot artistë të njohur ndërkombëtarisht”, ka shtuar ai.

Murali i ri i Banksyt u shfaq muajin e kaluar në qytetin e Port Talbotit, buzë “Swansea Buy”, vend që aktualisht është një prej shtëpive më të mëdha të çelikut në botë.

Brandler, 63-vjeçar, ka thënë se gjithë murali - i vendosur në një cep të bagazhit- është dashur të lëvizej në një pjesë. Ai nuk pranonte ta paguante një çmim të caktuar për veprën.

I pyetur se si mundi të përballojë një luks të tillë, ai ka thënë: “unë jam tregtar i veprave të artit. Unë posedoj disa vepra nga Bansy. Po ashtu posedoj vepra të John Costable, Thomas Gainsborough, Joseph Mallord William Turner. Po ashtu, kam vepra të artistit urban të njohur si ‘Pure Evil’ – kam të gjitha këto lloje vepra arti”.

“Pasioni im është kthyer edhe në profesion tashmë. Herën e fundit kur kam shkuar në punë, isha 18-vjeçar”, ka thënë Brandler.

Banksy, që ende vazhdon ta mbajë të fshehur emrin e tij të vërtetë, është bërë tanimë artisti më i famshëm i rrugës në botë, që gjurmon për të gjetur argëtim në tepritë e kapitalizmit modern, si dhe duke vënë në dukje ikonat e zbrazëta, sloganet dhe mendimet boshe.

Veprat e mëparshme të tij përfshijnë edhe “Mobile Lovers”, që shpërfaq përqafimin e dy të dashuruarve, të cilët mbi supet e njëri-tjetrit, shikojnë telefonat e tyre celularë dhe një paralajmërim të Canary Wharf në Londër që shkruan: “na vjen keq! Stili i jetesës që e keni porositur nuk është në shitje për momentin”/ Reuters.