I caktuari nga Ministria refuzon të bëhet drejtor i Muzeut

I caktuari nga Ministria refuzon të bëhet drejtor i Muzeut

Shaban Maxharraj 17 janar 2019 08:28

Prishtinë, 17 janar – Ministrisë së Kulturës nuk janë duke i dalë mirë hesapet me pozitën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës tash e disa vjet. Qysh prej vitit 2014 s’ka mundur ta përmbyllë këtë çështje nëpërmjet një procesi të ligjshëm. Të martën është marrë vendim për caktimin e Shkëmb Manajt në pozitën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.

Por vetë Manaj e ka refuzuar këtë pozitë. Midis rreshtash, vendimin për caktimin e tij në këtë post e ka cilësuar joadekuat. Manaj në dhjetor të vitit 2013 kishte pezulluar pozitën e tij si drejtor i Zyrës Ligjore në Ministrinë e Kulturës. Asokohe ishte zgjedhur anëtar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil. Mandati i tij ishte pesëvjeçar. Për një kohë ishte edhe kryetar i këtij organi. Në ditën e 31-të të dhjetorit, ai i është drejtuar me një shkresë Ministrisë së Kulturës. E ka njoftuar atë se kërkon që të kthehet në pozitën që e ka pezulluar apo siç e përcakton Ligji për shërbimin civil, në një pozitë ekuivalente. Të martën, sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Veton Firzi, ka nxjerrë një vendim duke iu përgjigjur shkresës së Manajt. Nëpërmjet këtij vendimi e ka caktuar Manajn drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës. Por Manaj të mërkurën nëpërmjet një shkrese elektronike e ka refuzuar vendimin. Duke u thirrur në Ligjin për shërbimin civil ai ka konstatuar se nuk është kthyer në një pozitë ekuivalente sikurse atë që e kishte pezulluar pesë vjet më parë.

Në dhjetor të vitit të kaluar, Muzeu Kombëtar i Kosovës është bërë me Statut të ri. Ky dokument përcakton se mandati i drejtorit të këtij institucioni është me katërvjeçar me mundësi rizgjedhjeje edhe për një tjetër mandat. Statuti përcakton se drejtori zgjidhet nga Këshilli Drejtues nëpërmjet konkursit publik të shpallur nga MKRS-ja. Këshilli ka të drejtë të zgjedhjes dhe shkarkimit të drejtorit.

Në bazë të Statutit, Manaj ka vlerësuar se pozita e drejtorit të MKK-së nuk është pozitë e karrierës në shërbimin civil, pasi që nuk është pozitë e përhershme.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme