Kulturë

“Oda e librit” promovon leximin edhe në Ferizaj

Prishtinë, 15 janar – Shifrat për rënien e lexueshmërisë që dalin prej anketave e hulumtimeve ka vite që janë alarmante, por kjo nuk ka zmbrapsur grupe të rinjsh që të bëhen tok për librin e të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes. E tillë është iniciativa e organizatës joqeveritare “ETEA”, me organizimin “Oda e librit” që pas Prishtinës tashmë është shtrirë edhe në Ferizaj.

Ishte po kjo organizatë e cila më 23 prill të vitit të kaluar, në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtës së Autorit publikoi raportin “Lexueshmëria në shkollat e mesme të larta të Prishtinës”. Njëri nga konstatimet qe se nxënësit e shkollave të mesme kryesisht lexojnë vetëm librat shkollorë obligues dhe nuk shkojnë në biblioteka. Sipas gjetjeve, 79 për qind e nxënësve të anketuar nuk interesohen për aktivitetet për librin e 44.2 për qind prej tyre nuk u kujtohen titujt e tri librave që i kanë lexuar. Të dhënat themelore të këtij projekti qenë nxjerrë nga anketimi i 604 respondentëve, nxënës të 13 shkollave të mesme të larta të Prishtinës. Sipas raportit, bibliotekat i frekuentonin vetëm 7.6 për qind nga 604 të anketuarve. Aty bëhej thirrje për aktivitete në promovimin e leximit. E njëri prej tyre, ai nëpërmjet klubeve të librit. Interesimi për diskutime rreth librit e shtyu “ETEA”-n që të zgjerohet edhe jashtë kryeqytetit, ku këtë aktivitetet nisi ta organizojë që nga dhjetori i vitit 2016 me takimet mujore që rëndom mbahen në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani.

Shkëndije Azemi, anëtare e organizatës joqeveritare “ETEA” ka thënë se pasi vizitoi bibliotekën e qytetit në Ferizaj dhe klubin letrar “De Rada”, pa interesimin e lexuesve. Fill pas kësaj propozoi në organizatë idenë e mbajtjes së “Odës së librit” edhe në Ferizaj.

“Gjithçka shkoi shumë mirë në takimin e parë për diskutim të librit. Pati shumë pjesëmarrës sidomos nxënës të shkollave të mesme të cilët edhe u shprehën falënderues për mundësinë e dhënë”, ka thënë Azemi/Fjolla Hajrizaj.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")