Kulturë

U përkujtua njëvjetori i vdekjes së poetit Basri Çapriqi

Sot, në Teatrin Kombëtar, në organizim të PEN Qendrës së Kosovës, u përkujtua njëvjetori i shkuarjes në amshim i poetit, studiuesit e profesorit Basri Çapriqi, transmeton Koha.net.

Në shënimin e këtij përvjetori morën pjesë familjarë, miq dhe kolegë të të ndjerit.

“Shkrimtari rron aq sa kujtohet nga të tjerët. Mosha biologjike është pakrahasimisht e vogël përballë kohës që shkrimtari mund të qëndrojë në kujtesën e njerëzve dhe lexuesve të tij. Takim i veprës së tij me lexues, që nuk janë të moshës së tij biologjike, veçmas me lexues që do të lindin pas vdekjes së tij biologjike është takim i vërtetë. Vetëm atëherë vepra e një shkrimtari bën jetën e saj të njëmendtë. Kështu që, ndajmë bindjen tonë të plotë se vepra poetike e Basri Çapriqit do ta arrijë këtë takim të shumëdashur për secilin krijues dhe do të jetë në duart dhe në mendjen e lexuesve që janë sot dhe do të vijnë nesër”, u tha, ndër të tjera, në këtë rast, duke u përkujtuar figurën poetike të Çapriqit.

Në vazhdim, aktorët Teuta Krasniqi, Rozi Kryeziu, Shpëtim Selmani dhe Faris Berisha lexuan disa poezi nga ky poet si dhe dy poezi kushtuar Çapriqit nga Milazim Krasniqi e Sali Bashota.