Kulturë

Mungojnë investimet nga shteti, studiuesit punojnë për pasion

100-vjetori i ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit e gjen Institutin e Historisë në Tiranë me 17 studiues për të gjitha periudhat historike dhe me një buxhet të kufizuar. Historiani dhe njëherësh Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Marenglen Verli, bën me dije për gazetën “Shekulli” se pavarësisht nevojës për investim në këtë institucion punohet me ritme të larta. Në kuadër të 100-vjetorit të vdekjes së Ismail Qemalit, Akademia e Studimeve Albanologjike, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Bashkinë e Vlorës do të organizojnë në Vlorë, më 26 janar, një konferencë shkencore kushtuar plakut të mençur të Vlorës.

“Ne,- thekson akademik Verli-, jemi gjithashtu në procesin e punës për përgatitjen edhe të 7 vëllimeve me dokumente për vitet 1912 dhe 1914, një pjesë e të cilave kanë një informacion të vyer për Ismail Qemalin”. Historiani shtoi se nga konferenca dhe përmes botimeve do të ndriçohet më tej vepra dhe jeta e themeluesit të shtetit shqiptar. “Në një takim të ardhshëm që do të mbahet këto ditë me Akademinë e Shkencave do të diskutohet për veprimtari të tjera lidhur me atë që mund të bëhet në përkujtim të Ismail Qemalit. Edhe pse ky vit ka një numër të konsiderueshëm konferencash që lidhen me ngjarje të mëdha të viteve 1914, si Principata e drejtuar nga Vilhelm Vidi, 1919 Konferenca e Paqes e pas Luftës së Parë Botërore, e të tjera si CClirimi i Shqipërisë 1944, çlirimi i Kosovës 1999 etj., përsëri Ismail Qemalit i është kushtuar një vëmendje e posaçme”.

Akademiku theksoi se periudha e vitit 1912 dhe figura e Ismail Qemalit është studiuar në vazhdimësi, dhe do të vazhdojë të studiohet me të njëjtën vëmendje që është studiuar periudha e Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeut, dhe momente të tjera të lavdishme në historinë tonë kombëtare. “Vepra e tij në vitin 1912 në këtë moment krucial në historinë e popullit shqiptar, e bën të domosdoshëm studimin dhe përkujtimin e këtij heroi tonë të madh kombëtar. Prandaj Ismail Qemali dhe vepra e tij veçanërisht në vitet 1912, 1913 janë studiuar me përparësi. Për të mos shkuar larg, do t’ju përmendja se në vitin 2012 me rastin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë u organizua në Tiranë një konferencë e madhe ndërkombëtare, u botuan 7 vëllime dokumentare, dhjetëra artikuj, u mbajtën qindra kumtesa në dhjetëra konferenca brenda e jashtë vendit, gjithashtu u botuan disa albume etj. Në të gjitha këto sigurisht vëmendje e veçantë iu kushtua jetës dhe veprës së Ismail Qemalit.

Përsa i përket dokumenteve të reja që kanë dalë ndërkohë dhe priten të zbulohen në të ardhmen, rreth figurës së Ismail Qemalit, mendoj se ato vetëm do të plotësojnë dijet dhe vlerësimin që kemi ne për të”.

Për prof. Verlin parësore është evidentimi i vlerave të Ismail Qemalit, çka sipas tij ka qenë në fokus të punëve të studiuesve gjatë gjithë kohëve. Lidhur me materialet që ende duhen hulumtuar për këtë figurë, akademiku shprehet se: “Padyshim që ka ende për të hulumtuar, dokumentacioni historik nuk mund të themi kurrë se është parë në mënyrë shteruese. Ka arkiva në Stamboll apo në kryeqendrat e Fuqive të Mëdha të kohës dhe në arkivat e kryeqyteteve të rajonit, nga do të mund të dalin dokumente të reja që do të sjellin padyshim informacion të ri çka do të thellojë më tej njohjen, qoftë për biografinë politike të Ismail Qemalit, qoftë për detaje të jetës së tij. Por ajo që është kryesorja, mendoj se ka dalë. Vepra e tij është e vlerësuar në mënyrë të padiskutueshme”. Përsa i përket kërkimeve në arkivat jashtë vendit dhe mbështetjes financiare nga Qeveria, historiani thekson se buxheti i institucionit qw drejton është i kufizuar. Ai tregon se disa vite më parë studiuesit e Institutit të Historisë kanë mundur të sigurojnë nga arkivat e vendeve të mëdha, si Anglia, Italia, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara etj., gati një milion dokumente, të cilat janë tani në duar të studiuesve. “Nga përpunimi i këtij materiali voluminoz sigurisht priten të publikohen të dhëna të reja. Ndër të tjera prof. Verli rrëfen se për periudhën osmane, një minierë pak e prekur që ka akoma shumë gjëra për të ofruar janë arkivat e Perandorisë Osmane (të Stambollit) nga presim, që për periudhën e Rilindjes dhe të Shpalljes së Pavarësisë, të sigurojmë dokumente dhe informacion shumë interesant e me vlerë.

Viti i Ismail Qemalit, që ka nisur me debate shtron pyetjen: A mund të bëhet më shumë lidhur me studimet rreth themeluesit të shtetit tonë?

“Jo vetëm për Ismail Qemalin, por studimet në përgjithësi në qoftë se do të ketë investim më të madh, deri tek shtimi i numrit të punonjësve që do të merren me studimin e historisë, por edhe atë të arkeologjisë, me studimet e gjuhës e letërsisë shqipe, me studimet e antropologjisë etj., natyrisht që do të mundësojë që të shtohen studimet në të ardhmen”.

Për akademikun Marenglen Verli fushat e studimeve në Albanologji janë identitare për kombin dhe shtetin shqiptar. “Sot e në të ardhmen do të jenë të tilla, ndaj të domosdoshme, pasi kanë akses në shumë drejtime. Madje ato janë edhe produktive në aspektin ekonomik për vendin, si në rastin e turizmit kulturor, në arkeologji, në kulturën popullore, në histori etj. Studimet në Albanologji janë njëherësh burim krenarie apo si të thuash, ato rrisin ‘adrenalinën e kombit’”, u shpreh akademiku.

Edhe akademiku Muzafer Korkuti para disa ditësh, që u mblodh asambleja e akademisë për të ngritur komisionin e zgjedhjeve, ndali edhe bëri thirrje që 2019-ta, vit që përkon me 100-vjetorin e ndarjes nga jeta të figurës, që vuri themelet e shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, të quhet “Viti i Ismail Qemalit”. “Mbushen 100 vjet nga ndarja nga jeta e themeluesit të shtetit shqiptar. Ky duhet të jetë një vit mbarë i Akademisë për të vlerësuar këtë figurë të ndritur. Ky vit mund të quhet vitit i Isamil Qemalit, këtë fare mirë qeveria mund ta miratojë”, u shpreh Korkuti. Gjithashtu ai ndalet edhe tek vendosja e një monumenti për këtë figurë, gjë që në vitin 2012-të, gjatë festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë, nuk u bë. Më tej shton se ka një detyrë edhe bashkia e kryeqytetit, sepse në 100-vjetorin e Pavarësisë, që duhet që të nderohej figura e Ismail Qemalit, shtatorja e tij u hoq nga Muzeu Historik Kombëtar, edhe u çua në lulishten ku shumë pak njerëz e dinë. “Edhe momenti që pas shtatë viteve kjo figurë të jetë në vendin që duhet, kudo është fotografia e Ismail Qemalit, por nuk kemi një monument të tillë në kryeqytet. Besoj se do të gjendet potenciali për ta nderuar ashtu siç e meriton” përfundon Korkuti. 100-vjetori i ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit është në datë 26 janar, por qeveria deri më tani nuk ka miratuar asgjë.

Driant Zeneli: Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri

Galeria e Artit Modern në Bergamo prezanton, për herë të parë në një institucion italian, triologjinë video “Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri” të Dirant Zenelit (Shkodër, 1983). I përfaqësuar nga “Prometeogallery” i Ida Pisani-t, artisti është përzgjedhur në kuadër të projektit ‘Level 0’ të promovuar nga ‘ArtVerona’. “Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri përfshin tre video të shkurtra që dokumentojnë aksione performuese të kryera nga vetë artisti. Në të gjitha rastet, Zeneli kërkon të realizojë tre dëshira, tre ëndrra shumë të ngjashme dhe të pamundura për t’u konkretizuar, duke lënë të nënkuptojë se dështimi i pashmangshëm nuk është tjetër veçse dera që të shpie tek alternativat e mundshme. Në videon e parë, “Ëndrra e Icarus ishte të bëjë një re” ( “The Dream of Icarus Was to Make a Cloud”, 2009), artisti tenton të krijojë një re duke fluturuar në ‘parapendio’; në të dytën “Disa thonë Hëna është e lehtë për t’u prekur….” ( “Some Say the Moon Is Easy to Touch…” ,2011), artisti e lë veten të lirë duke u hedhur në një “bungee jump” në tentativën për të prekur hënën, në atë natë në të cilën sateliti gjendet ë distancën minimale nga Toka. Në videon e fundit, “ Mos shiko nga dielli sikur të jesh duke pritur për ta kaluar atë” ( “Don’t Look at the Sun while You’re Expecting to Cross it”, 2014), Zeneli vendos të kapërcejë diellin duke udhëtuar në një teleferik pasi kometa ‘Lovejoy’ ka kapërcyer atmosferën e diellit, duke dalë e paprekur. Në të tre videot, veprimet performuese përfundojnë brenda një kohe të shkurtër, duke zbuluar iluzionin thelbësor. Shumica e imazheve i është dedikuar fazës së përgatitjes, duke përfshirë kohën që merr parapërgatitja, tensioni, pritjet dhe duke vendosur theksin në angazhimin dhe në forcën e vullnetit të domosdoshëm për të realizuar këto veprime të konsideruara të pamundura. Të gjitha veprimet performuese, si të hidhesh në vakum, të fluturosh me ‘parapendio’, të hidhesh me të gjithë shpejtësinë duke u kapur pas një teleferiku, janë veprime disi të rrezikshme që kërkojnë kurajo. Vetë mënyra e filmimit, me kamerë në dorë, kontribuon për të krijuar një dimension zhytjeje, duke dhënë ndjesinë e të qenit të pranishëm, fizikisht, pranë artistit në momentin në të cilin ai është gati për të ndërmarrë nismat e sipërpërmendura. Këto aspekte nënvizojnë edhe një herë gatishmërinë dhe vendosmërinë e nevojshme për të realizuar objektivat utopikë, por që ndoshta, akoma më shumë, të domosdoshëm për të pranuar dështimin e mundshëm. Triologjia “Kur ëndrrat bëhen domosdoshmëri” në tërësinë e saj, ndërton pikërisht një reflektim rreth dështimit, i nënkuptuar jo si një fund, por si një mundësi për të imagjinuar shtigje ende të paeksploruar dhe për të mirëpritur sfida të reja/ Anila Dedaj, "Shekulli".

{gallery}