Zekeria Cana, dokumentuesi e veprimtari i kthesave historike në Kosovë

Zekeria Cana, dokumentuesi e veprimtari i kthesave historike në Kosovë

11 January 2019 12:01

Prishtinë, 11 janar – Hulumtimet shkencore, veprimtaria e tij përtej profesionit e pjesëmarrja në Lëvizjen e pajtimit të gjaqeve, e bëjnë historianin Zekeria Cana një prej emrave më të rëndësishëm që dhanë kontribut për Kosovën. Të enjten ai është kujtuar me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes. Për këtë Instituti Albanologjik i Kosovës ka organizuar tryezën shkencore “Jeta dhe vepra shkencore e Zekeria Canës”. Në këtë ngjarje Cana është vlerësuar si një intelektual i rrallë dhe i guximshëm.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinës, Hysen Matoshi, ka thënë se Zekeria Cana, i cili ka vdekur më 2009, bën pjesë në galerinë e personaliteteve të rëndësishme të Institutit Albanologjik, të atyre personaliteteve vepra shkencore dhe veprimtaria intelektuale e të cilëve ka pasur ndikim edhe në rrjedhat e jetës shoqërore. Sipas tij, gjithë veprën shkencore dhe veprimtarinë e gjithëmbarshme të Zekeria Canës i përshkon vetëdija e gatishmërisë për të marrë hisen e detyrës profesionale dhe hisen e detyrës morale të kohës në planin e zhvillimeve të përgjithshme në faza e në ngjarje të rëndësishme historike.

Historiani Lulëzim Lajçi ka shpalosur një pjesë të biografisë së Canës. Sipas tij, Cana ishte nismëtar dhe krah i djathtë i plakut të urtë Anton Çetta.

Historiani Memli Krasniqi ka thënë se Cana në kuadër të aktivitetit të tij shkencor ka lënë pas një numër të botimeve si monografi, përmbledhje punimesh, ditarin e tij të luftës dhe veprën e tij të fundit ”Kryengritja shqiptare e vitit 1912 në dokumentet serbe”. Akademiku Jusuf Bajraktari ka thënë se Cana është një ndër emrat që ka lënë gjurmë në historiografinë shqiptare.

Në këtë tryezë për figurën e Canës kanë folur edhe historianët Mehmet Rukini e Daut Bislimi.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme