Akademia e Shkencave e Shqipërisë bën hapin e radhës për zgjedhjet e reja

Akademia e Shkencave e Shqipërisë bën hapin e radhës për zgjedhjet e reja

11 janar 2019 14:02

Tiranë, 11 janar – Ani pse ende nuk është miratuar ligji i ri, Akademia e Shkencave e Shqipërisë nuk e ka ndërmend të zmbrapset nga zgjedhjet e strukturave të brendshme. Ishin pikërisht zgjedhjet ato që vitin e kaluar u bënë sebep për akuzat kundër këtij institucioni.

Të enjten ASh-ja ka mbajtur mbledhjen e saj, ku ka vendosur të ngrihet komisioni i zgjedhjeve të reja, pa hyrë në fuqi ligji i reformës. Siç kanë raportuar mediat e Shqipërisë, mbledhja është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe ku janë përcaktuar tre akademikët të cilët do të drejtojë sekretariatin që do të organizojë procesin zgjedhor. Ky sekretariat do të drejtohet nga akademiku Jani Vangjeli, dhe përbëhet nga akademikët Shaban Sinani dhe Neki Frashëri”.

“Asambleja vlerësoi që, meqë Projektligji për reformimin e institucionit është në fazën përfundimtare të aprovimit nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë, data e zgjedhjeve të përcaktohet nga komisioni në varësi të hyrjes në fuqi të ligjit të ri”, thuhet në vendimin e Akademisë së Shkencave.

Se Akademia e Shkencave e Shqipërisë synon të mbajë zgjedhjet për kryesinë e re, u paralajmërua qysh në fillim të kësaj jave. Kërkesën e kishte bërë një grup akademikësh dhe ajo qe justifikuar me përfundimin e mandatit të sekretarit shkencor në muajin shkurt dhe me ecurinë në “rrugën e duhur” të reformimit të institucionit çoi edhe në dorëheqjen e kryesisë së mëparshme.

Në tetor të vitit të kaluar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e kishte quajtur Akademinë e Shkencave një lloj rudimenti sovjetik në Shqipëri. Sipas Ramës, Akademia e Shkencave vazhdon të jetë një institucion mbi çatinë e të cilit vazhdon të valëvitet flamuri sovjetik. Këto akuza dhe më pas paralajmërimi për ndërprerje fondesh kishin ardhur pikërisht pas zgjedhjeve. Në shtator të 2018-s, Gudar Beqiraj u bë kryetar pas një mandati si nënkryetar i kësaj akademie. Ndërsa Myzafer Korkuti që më herët mbante detyrën e kryetarit të AShSh-it ishte kandidatura e vetme për nënkryetar dhe vota prodhoi një rokadë mes Beqirajt e Korkutit. Pas debatit, të dy dhanë dorëheqje.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme