Robert Elsie, mentori i kulturës shqiptare

Robert Elsie, mentori i kulturës shqiptare

07 janar 2019 14:10

Robert Elsie, për të gjithë ata që nuk e njohin, është një nga albanologët më të shquar të huaj. Që nga vitet `80 të shekullit të kaluar, e në vazhdim, ai ka patur një aktivitet shumë të ngjeshur në shumë aspekte: historik, filologjik, në fushën e fotografisë – duke bërë të mundur që thesaret e ndryshme të kulturës shqiptare të shpërndara, të paidentifikuara më parë t’i bashkojë dhe të krijojë një mozaik të madh të atij imazhi dhe perceptimi që kanë pasur të huajt ndaj Shqipërisë.

Këto perceptime fillojnë që nga viti 1809, një vit i cili shënon edhe interesin e madh albanologjik për shkak edhe të veprës së Bajronit, të shkruar përreth shqiptarëve dhe autorëve të tjerë që ecën në gjurmët e tij.

Robert Elsie ishte një studiues pasionant, i cili arriti në thyerjen të viteve 1990 të krijojë një individualitet të veçantë në kritikën, në letrat shqipe, në kulturën shqiptare një pikë referimi shumë të fortë për gjithsecilin që dëshironte të njihte më tepër shqiptarët, por edhe për të ndërtuar e për të shkruar histori të ndryshme të zhvillimit kulturor të shqiptarëve.

Mbetet një kontribut i madh historia e letërsisë shqipe që ai hartoi, në të cilën për herë të parë vinin më të detajuar autorë që më parë ishin mohuar apo dhe autorë të së shkuarës pa as edhe një lloj kompleksi duke bërë të mundur që një njeri, të dukej sikur bënte punën e institucioneve, kulturore, artistike apo historike të vendit tonë.

Robert Elsie dashuronte gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare. Për këtë gjë, ai bënte më të mirën e mundshme, që të krijonte dhe të arrinte rezultate të drejtpërdrejta në prezantimin e kësaj kulture, në Evropë kryesisht, por edhe në botë. Neve na duhet ta pranojmë që bibliotekat e Evropës dhe arkivat e ndryshme të muzeve, kanë akoma dokumente të paeksploruara për shqiptarët. Robert Elsie kishte mundësinë që të depërtonte dhe të merrte një pjesë nga këto dokumente dhe mbi to të analizonte dhe shkruante faza të ndryshme të zhvillimit kulturor të shqiptarëve.

Por, ajo që e përbën atë si një rast i veçantë, krahasuar edhe me gjithë studiuesit e tjerë, është se ai arrinte të krijonte dhe një analizë tërësore të këtyre dokumenteve duke na bërë të mundur, që ne herë pas here të kishim botime shumë cilësore apo qoftë edhe prezantime të letërsisë shqipe. Një ndër to edhe përkthimi i “Lahutës së Malësisë” të Gjergj Fishtës ose të veprave më të hershme të letërsisë shqipe, të cilat mund të konsiderohen për shijen e publikut tashmë si arkaike, por që Elsie kishte kurajon për të prezantuar në perëndim si vlera të vërteta të ringjalljes kulturore dhe shpirtërore të shqiptarëve.

Për të gjithë ata që e kanë njohur Elsie, e njihnin si një “Ambasador i Shqipërisë”, por nuk ishte nga ata lloj ambasadorë që ka një përgjegjësi shtetërore nga prapa dhe do të detyrohej të fliste gjithmonë pozitivisht. Ai për gjëra që nuk i pëlqente në Shqipëri, problematika në histori, në kulturën shqiptare, të cilat nuk kishin guximin për t’i trajtuar apo dhe për t’i shqyrtuar ashtu siç duhet duke u bazuar në realitetet historike, kritikonte, krahasonte me zhvillimet e popujve të tjerë. Në këtë mënyrë mund të themi se Elsie mundohej të ishte jashtë Shqipërisë si një mentor i botës shqiptare.

Ai kërkonte që kultura shqiptare të ngrihej dhe të arrinte një standard të lartë. Robert Elsie si një njeri i kulturës besonte fort se përfaqësimi dinjitoz në kulturë do të bënte të mundur që Shqipëria të arrinte dhe të realizonte ëndrrën të ishte pjesë e familjes evropiane. Kudo ku kishte thërrmija të botës shqiptare, Elsie ishte i pranishëm për ta vëzhguar dhe studiuar. Dy vitet e fundit të jetës së vet, ai arriti të mblidhte material etnografik apo material folklorik, zanor, jo vetëm nga Kosova, nga arbëreshët në Itali por edhe nga arvanitasit në Greqi. Elsie nuk i njihte kufijtë administrative që i ndajnë shqiptarët, pasi ai ishte i dashuruar me botën shqiptare dhe kudo që ai mendonte se diçka në botën shqiptare ishte duke u rrezikuar ose që duhej mbledhur për t`ua lënë pasardhësve, ose shkrimet e vjetra të udhëtarëve evropianë përreth zhvillimit kulturor të shqiptarëve, ai i merrte dhe i nxirrte nga harresa dhe mos vlerësimi për t’ia paraqitur publikut të huaj dhe atij shqiptar.

Robert Elsie mbetet një nga pikat e referimit për botën shqiptare. Ai në momentet e fundit të jetës së tij prezantoi në Kosovë, në Mal të Zi, në Shqipëri, të gjithë diapozitivët e udhëtares së njohur Edith Durham, fotografi fare të panjohura nga arkivi i Muzeut Britanik, me të cilat ai ndërtoi një koleksion shumë të bukur të memories albanalogjike. Në këto foto pasqyrohen kujtesa e memoria e qyteteve shqiptare, një kujtesë urbane, për qytete që kanë pasur një zhvillim ekonomik, por që pas Luftërave Ballkanike ranë pre e hordhive të ushtrive shoviniste fqinj dhe u dogjën. Në këtë koleksion shikon foto të Leskovikut me të gjitha shtëpitë karakteristike të mbajtura shumë mirë, shikon Përmetin, arrin të shikosh Tepelenën dhe disa qytete të tjera. Përveçse qendrave të njohura urbane, arrin të shikosh malësinë e Shpatit si dhe Malësitë e Veriut.

Robert Elsie sjell, krahason dhe ngacmon në memorien e njerëzve, pra rizgjon memorien kolektive të shqiptarëve, jo vetëm nëpërmjet teksteve të shkruara por edhe nëpërmjet fotografisë. Ai është hartues i zërave të ndryshëm në fjalorët enciklopedik për figurat e Shqipërisë e të Kosovës, jo vetëm për personalitetet e njohur por edhe figura të harrura për të cilat mungonte informacioni i detajuar për publikun shqiptar.

Robert Elsie është ai i cili i shpluhuroi disa figura të rëndësishme të kulturës shqiptare duke i prezantuar në botime të ndryshme që edhe sot e kësaj dite janë një pikë referimi për studiuesit e rinj. Kështu p.sh ai risolli në vëmendje të botës shqiptare një nga poezitë e para në shqip kushtuar një tradite antropologjike shqiptare siç është rituali i pirjes së kafesë, poezi nga Muçi Zade, i cili është një poet nga krahinat e Korçës. Robert Elsie jo vetëm që e solli në shqip por edhe e përktheu në anglisht, për të dëshmuar kulturën urbane të qyteteve shqiptare në shekullin e XVII-XVIII.

Analizat dhe shkrimet e Robert Elsie do t’i mungojnë shumë botës shqiptare, pasi ishte një nga miqtë më të mirë të Shqipërisë dhe një nga avokatët mbrojtës më të mirë të saj . Robert Elsie ka lënë gjurmën e vet të pashlyeshme në memorien dhe kulturën shqiptare/ Dorian Koçi, Koha Jonë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme