Kulturë

“Prolog/Epilog” me përplasjen e dy kohëve

Sinteza e qenies humane hulumtohet nëpërmjet veprave artistike. Skulpturat e Kristo Krisikos janë pjesë e “menysë” artistike të Tiranës në fillimvit. Në galerinë “FAB” ekspozita “Prolog/Epilog” rrumbullakon një pjesë të mirë të veprave të artistit. E kuruar nga artistët e profesorët e artit, Ardian Isufi dhe Sadik Spahija, ekspozita prezanton vepra të ndryshme, që janë realizuar nga autori gjatë e pas viteve të komunizmit në Shqipëri, shkruan sot Koha Ditore.

Sipas kuratorit Ardian Isufi, ekspozita është prolog i një kronike të paralajmëruar, që zhvillohet përgjatë një eksperience të gjatë artistike, si një sintezë e qenies humane e përshkruar në mënyrë të dëlirë në kohë dhe hapësirë.

“Hapësira kohore parë në rrafshin historik shtrihet në dekada të jetuara para-pas viteve ’90 me shpërthime haluçinante të saj që fillimisht vinin si shkak-pasojë e izolimit komunist nën trysninë e rregullit të realizmit socialist të kushtëzuar në artet pamore duke u pasuar në vitet e demokracisë në një arratisje në tokën helene, pra larg-afër vendit të tij”, ka thënë Isufi. Liria krijuese ashtu siç ishte në kohën e komunizmit, por edhe ajo e viteve të demokracisë bashkohen në vijën e rrëfimit artistik. Koleksioni që prezantohet në këtë ekspozitë sipas kuratorit Ardian Isufi e përmbledh këtë frymë lirie në çdo kohë apo periudhë.

”Duke nisur me projektin skulpturor në qeramikë të Bankës së Shqipërisë, që daton në fund të viteve ‘80 e deri në të përditshmen tonë postmoderme”, ka thënë ai.

Epilog i një metamorfoze formash të abstrahuara, apo thënë ndryshe “forma në zhvillim”, sipas kritikëve, shfaqin një qasje pothuajse të re në rrugëtimin artistik të viteve të fundit të skulptorit Kristo Krisiko. Ekspozita e hapur në fund të dhjetorit do të qëndrojë për publikun deri më 9 janar në galerinë ”FAB”. Periudha komuniste përfaqësohet me punime, ku paraqiten ngjyrat e zbehta që përfaqësonin atë periudhë në art. Masat e njerëzve janë duke punuar në fronte të ndryshme. Për dallim prej artistëve që paraqisnin njerëz të buzëqeshur në mënyrë që të lëvdohej sistemi, në veprat e asaj kohe të Krisikos nuk paraqitet një gjë e tillë. Kritika ka vlerësuar se duket sikur artisti ka bërë një “devijim” nga realizmi socialist. E veprat e periudhës së demokracisë janë aso eksperimentale, nga instalacionet e deri tek portretet në skulpturë. Artisti ka luajtur me forma duke e futur publikun në një mozaik veprash që secila flet në gjuhën e vet e të gjitha i bashkon kronologjia krijuese e dy kohëve që dallojnë shumë nga njëra-tjetra.