Kulturë

Skënderbeu i shqiptarëve

Arketipi i Skënderbeut shkon përtej të dukshmes. E tejkalon idenë e kujtimit të një heroi − trim sikundër ishte − në betejat kundër superfuqisë gjëmëmadhe të kohës.

Për ne shqiptarët, silueta e këtij njeriu hipur mbi kalë me shpatën zgjatur, tiparet e dalluara dhe të mprehta të fytyrës se tij, mjekra e gjatë që i dredhonte sipër armaturës, i gjithë imazhi i memorizuar që nga vitet e fëmijërisë së hershme; ravijëzojnë një nga simbolet më të njohura të identitetit tonë kombëtar.

Skënderbeu ishte produkt i shekullit të tij, por ai tejkaloi vitet njëmijë e katërqind. Në këtë këndvështrim, ai nuk mund të kufizohet vetëm brenda kufirit të Mesjetës se vonë. Trashëgimia e tij vazhdon të jetojë bashkë me idealet për të cilat ai luftoi trimërisht. Tek Skënderbeu më qartë se kushdo tjetër ne gjejmë një shëmbëlltyrë dhe një pararendës të civilizimit perëndimor, një individ që nëpërmjet historisë së tij personale hodhi themelet për pasardhësit që do të vinin. Dhe Evropa u detyrohet shumë për këtë vizion fillestar njerëzve si Skënderbeu.

Gjergj Kastrioti luftoi në mënyrë brilante kundër antagonistit më të frikshëm, dinastisë së Osmanit, në kulmin e fuqisë së kësaj të fundit. Kjo perandori-baruti që prej fillimit të 14-të po demonstronte forcën e saj duke pushtuar zotërimet e vjetra të Perandorisë Bizantine në Azi dhe duke përparuar metodikisht drejt Evropës. Në këtë qark historik, Skënderbeut iu desh të përballej me sulltanin e 6-të dhe të 7-të, respektivisht Muratin II dhe Mehmetin II, gjerësisht të njohur për aftësitë e tyre ushtarake. /Altin A. Zaloshnja

[Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore]