Kulturë

Filarmonia i përgjigjet interesimit të publikut me dy koncerte brenda ditës

Prishtinë, 20 dhjetor – Filarmonia e Kosovës ka një sfidë të re para vetes: do të mbajë dy koncerte brenda një dite. Për shkak të interesimit të madh të publikut për koncertin e fundvitit, menaxhmenti i institucionit më të lartë të muzikës në vend ka vendosur që të dielën të mbajë koncertin e njëjtë në dy orare. I pari do të fillojë në orën 17:00, ndërsa i dyti në orën 20:00.

Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, në një konferencë për media, të mërkurën, ka thënë se në bazë të disa llogaritjeve që kanë bërë, numri i të interesuarve arrin deri në dy mijë veta. Pas shqyrtimit të disa opsioneve që kjo ngjarje të zërë vend në një ambient tjetër e jo në “Sallën e Kuqe” – e cila ka rreth 340 ulëse – në bashkëpunim me dirigjentin Norman Widjaja kanë vendosur që këtë ngjarje ta organizojnë dy herë brenda ditës. Në këtë formë të gjithë të interesuarit mund të pajisen me bileta në objektin e Filarmonisë, të cilat janë falas. Kësisoj, sipas Jasharit, të gjithë të pranishmit do të kenë ulëset e veta.

Ky koncert, i cili e rikthen Widjajan për herë të tretë në Kosovë, do të sjellë arie të operave të njohura operistike, po ashtu edhe vepra simfonike. Befasi e mbrëmjes do të jetë ansambli vokal i porsaformuar “Dardanicum Cantori”. Pjesë e programit janë jashtë gjashtë solistë, dy prej tyre të ftuar special: sopranoja kosovare e cila jeton dhe vepron në Vjenë, Lorika Ismajli, dhe baritoni i njohur shqiptar Armando Likaj. Ata do të ndajnë skenën me tenorin e ri Granit Musliu dhe sopranot Adelina Paloja, Arta Jashari dhe Kaltrina Miftari.

“Do të sfidohemi dhe do të shikojmë se si do të sfidohemi me dy koncerte. Për ne kjo është një sfidë e re. Do t’i kemi dy koncerte, që nuk ka ndodhur më parë. Por me dëshirë u detyruam që të organizojmë dy koncerte gjatë ditës së diel për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm të madh që është bërë nga publiku. Ne kemi marrë informacione që diku rreth 2 mijë dashamirës të kësaj muzike dëshirojnë të jenë pjesë e këtij koncerti. Andaj pas shumë hulumtimeve se si mund ta bëjmë, kemi ardhur në këtë version që të realizojmë një koncert në orën 17:00, ndërsa koncertin e dytë në orën 20:00 në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë”, ka thënë Jashari, teksa ka treguar për vështirësitë e gjetjes së një hapësire më të madhe për të akomoduar një numër kaq të madh të publikut.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)