Autostrada Biennale ka stimuluar lirinë e shprehjes dhe ruajtjen e tolerancës ndërkulturore e ndëretnike Foto: Autostrada Biennale

Autostrada Biennale ka stimuluar lirinë e shprehjes dhe ruajtjen e tolerancës ndërkulturore e ndëretnike

16 December 2018 12:59

Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor “Autostrada Biennale” përmbylli konferencën ndërkombëtare “Revolucioni Jemi Ne - La Rivoluzione Siamo Noi” që u organizua më 14 dhjetor në Prishtinë dhe më 15 dhjetor në Prizren, Kosovë.

Konferenca mblodhi artistë, kuratorë dhe përfaqësues të institucioneve, në panele që kishin për qëllim të adresojnë çështje kulturore nëpërmjet perspektivës së artit, politikës dhe ekonomisë.

Në konferencë u diskutua se si bienalja ka arritur që së bashku me qytetarët dhe partnerët strategjikë të krijojë hapësira të reja ekspozimi, edukimi joformal, diskutimi dhe hapësira të reja reflektimi. Në këtë mënyrë ka stimuluar lirinë e shprehjes, këmbimin kulturor, mendimin kritik dhe ruajtjen e tolerancës ndërkulturore e ndëretnike, me qëllim të promovimit të mendimit demokratik, të ruajtjes së mjedisit dhe të vlerësimit të trashëgimisë kulturore.

“Arti dhe kultura janë pëlhura që i mbanë komunitetet të bashkuara në Kosovë”, u shpreh Ulrika Richardson, Kordinatore për zhvillim e agjencive të OKB-së (UNKT) duke theksuar ndikimin që Autostrada Biennale ka në komunitet.

Në hapjen e panelit “Revolucioni Jemi Ne - La Rivoluzione Siamo Noi” Giacinto Di Pietrantonio, kurator i edicionit të dytë të Autostrada Biennale tha:

“Për edicionin e ardhshëm do të punoj me idenë e revolucionit, duke u nisur nga vepra e rëndësishme e Joseph Beuys. Nuk bëhet fjalë për një revolucion politik, por revolucion personal, pasi arti mund të na ndihmojë të ndryshojmë perspektivën e jetës sonë. Arti është gjithmonë bartës i risive, i hapjes, i ndryshimit dhe mbi të gjitha, i lirisë”.

Duke vlerësuar si frymëzues edicionin e kaluar të bienales, Arta Agani, drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, theksoi se “për edicionin e ardhshëm Autostrada Biennale, ka përzgjedhur një kurator shumë të fuqishëm në koncept, që ndërlidhet me publikun tonë, pasi Kosova është një vend që ka lindur nga revolucioni.”

Në këtë panel, të moderuar nga Hajrulla Çeku, i ftuar ishte edhe Richard Mei, përfaqësues i Ambasadës Amerikane në Prishtinë, i cili vlerësoi veçanërisht rëndësinë e bienales në raport me trashëgiminë e qytetit.

“Autostrada Biennale është një nga iniciativat më kreative që ka Prizreni dhe ne si Komunë jemi krenar që po mbahet në Prizren”, u shpreh kryetari Haskuka, që ishte folës në panelin “Zhvillim përmes Turizmit Kulturor”, krahas Ols Lafe - ekspert për turizmin kulturor dhe Dren Zatriqi - Swiss Contact.

Gjatë kësaj konference diskutimi u fokusua në atë se si bienalja e ka bërë qytetin dhe qytetarët pjesë tejet të rëndësishme të organizimeve të saj, pavarësisht përkatësisë nacionale, fetare dhe kulturore, dhe se si ky ka qenë edhe vetë qëllimi i këtij organizimi, thyerja dhe zhdukja e kufijve.

Në këtë konferencë, ekipi i Autostrada Biennale publikoi librin e saj të parë të quajtur “Autostrada Biennale: Libri i Përbashkët”, i cili synon ta promovojë bienalen në mbarë botën duke mbajtur prezantime dhe biseda në ngjarje të ndryshme kulturore.

Edicioni i ardhshëm i Autostrada Biennale me temën “Revolucioni Jemi Ne - La Rivoluzione Siamo Noi” do të mbahet nga korriku deri në shtator 2019 në Prizren, Kosovë.

Partnerët dhe përkrahësit e librit dhe të konferencës ndërkombëtare janë: UNKT - Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë - më konkretisht Zyra e Koordinatorit për Zhvillim, Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim në Prishtinë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, Ministria e Diasporës dhe Investimet Strategjike në Kosovë, Komuna e Prizrenit dhe Komuna e Prishtinës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme