Klara Buda, shkrimtarja që promovon paqen mes Kosovës dhe Serbisë Foto: Ksp

Klara Buda, shkrimtarja që promovon paqen mes Kosovës dhe Serbisë

15 dhjetor 2018 16:44

“I bëj thirrje të gjithë personaliteteve të letërsisë, artit e kulturës që të shprehen në mbështetje të kësaj proteste, pasi ai vend që ka shkatërruar edukimin e ka shkatërruar përfundimisht të ardhmen”, thotë ajo.

Kështu shprehet ajo, pas organizimit të disa protestave në Shqipëri, nga studentët e këtij vendi. Sipas saj ata janë kategoria më e diskriminuar.

E zëshme, për të drejtat e studentëve dhe për të gjithë shqiptarët, ajo është tash e sa kohë.

Klara Buda punon që prej 1990 në Paris dhe nga 2011 e sot mes Parisit Prishtinës dhe SHBA-së. E angazhuar në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut, ajo ka milituar aktivisht për pavarësinë e Kosovës që prej vitit 1992 në Paris.

“Pëshpërimë gruaje”, është romani i shkrimtares Klara Buda, i cili pasqyron ngjarjet e viteve të 80-ta, në kohën kur shqiptarët në kushtet e lirisë së dhunuar, e po ashtu të diktaturës më të egër komuniste, mbahej gjallë pikërisht nga ideali i lirisë, raporton Kosovapress.

Ishte pikërisht ky roman i cili solli shkrimtaren në Kosovë, në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë, me ç’rast edhe promovoi këtë libër.

Një vit më parë nga panari i librit ajo u kthye me çmimin e veçantë për eseistikë, kritikë dhe publicistikë, që iu akordua librit të saj “Kosova mon amour”.

Te “Kosova mon amour” ajo trajton jo vetëm luftën e Kosovës dhe lobimin për pavarësinë e saj në Paris, por edhe totalitarizmin, tranzicionin shqiptar dhe lirinë e shprehjes.

“Liria dhe e vërteta janë dy binarët që bëjnë gazetarin ta kryejë misionin e tij të shenjtë të informimit. Çdo akt kompromisi që bën në jetën e tij, ia zvogëlon atij çdo herë nga pak lirinë e domosdoshme për ta mbrojtur të vërtetën. Por kurajoja për ta thënë këtë të vërtetë kur kjo përbën rrezik është ajo që ndan gazetarët e mëdhenj nga të vegjlit. Ndan ata që ia kanë kushtuar jetën misionit Nobel të gazetarit nga ata që livadhisin sa andej e këndej në këtë profesion “prostituta që kanë zëvendësuar seksin me shkrim...”.

Ajo në këtë libër analizon dhe kontributin e ish-presidentin Ibrahim Rugova, kritik letrar e politikan, në kontekstin dhe kohën e tij. Duke dëshmuar se si Buda e njohu çdo pjesë të Kosovës gjatë bombardimeve në mars të 1999, derisa raportonte prej Parisit, si gazetare e Radio Francës Internacionale. Aty po ashtu nuk mungon as portreti i William Walker-it, e po ashtu nuk lë pa përmendur edhe rrëfimet për tmerret që përjetuan gratë e Kosovës.

Nuk janë këto veprat e saj të vetme. Në romanin “Kloroform”, Buda përshkruan gjithë absurditetin e një sistemi liri-vrasës. Ku përmes një rrëfimi mjeshtëror, ajo pohon kështu pamundësinë e çdo sistemi, sado i tmerrshëm qoftë ai, për ta shkatërruar tërësisht idealin e lirisë.

Promovimet e librave të saj, si duket janë gjithmonë shkas, që ajo të vijë në Kosovë.

Në dhjetor të vitit 2017 ajo vjen në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, për të folur për katër veprat e saj: “Pëshpërimë gruaje”, “Kosova mon amour”, “Rrëfenja kuteliane”, të gjitha këto libra duke përfshirë edhe përkthimin e Klara Budës në frëngjisht “Mon village sait boire le raki”, të rrëfenjës “Fshati im e pi rakinë” të Mitrush Kutelit.

Duke mos harruar të përmendet, që në vitin 2017, Behgjet Pacolli kishte emëruar atë si Udhëheqëse të Këshillit për Promovimin e Paqes në mes të Kosovës e Serbisë.

Ani pse ka pranuar të ndihmojë qeverinë e Kosovës në fushën e promovimit të paqes, ajo nuk e ka ndaluar shprehjen e mendimit të saj kritik në mënyrë publike edhe kur kjo bie ndesh me aksionin e qeverive qoftë të Prishtinës apo të Tiranës.

Në fjalën e saj gjatë promovimit në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ajo denoncoi:

•“Pastrimin etnik të shqipes” në Bibliotekë Kombëtare të Kosovës nga autoritetet serbe, në periudhën kohore (1993-1999) dhe kërkoi ri-kthimin kësaj Bibliotekë të gjithë këtyre veprave të censuruara e të larguara nga fondi shqip i bibliotekës së Kosovës.

•Taksën e librit mes Kosovës dhe Shqipërisë, ajo e quajti një pengesë që mund dhe duhet të tejkalohet për krijimin e një hapësire të përbashkët kulturore mes dy vendeve, sepse nuk ka të bëjë me ndonjë vështirësi. Por, ajo i ka quajtur demagogji, folklor dhe një fasade fallco e shumë të dëmshme, deklaratat e liderëve të Shqipërisë e të Kosovës. Dhe që të pa shoqëruara me aksione konkrete nuk i sjellin asgjë të mirë marrëdhënieve në të dy anët e kufirit, përpos që i shfaqin Evropës mungesën e seriozitetit të këtyre liderëve.

Ajo po ashtu ka kërkuar nga liderët shqiptarë “të aspiratë”, siç i quan ajo, për bashkim në mungesën e aksioneve serioze e konkrete për të arritur këtë aspiratë bën këtë shprehje një demagogji të dëmshme qe nuk i sjell asgjë të mirë mardhënieve në të dy anët e kufirit.

•Marrëveshje kulturore mes Kosovës dhe Shqipërisë me aktivitete të pakta e të varfra.

Ajo kërkoi që në kushtet për futjen e Serbisë në Evropë të futet edhe njohja e krimit të përsëritur në Kosovë nga forcat paramilitare dhe militare, kërkimi i faljes për krimet e luftës dhe dëmshpërblimi i viktimave shqiptare të Kosovës.

Ani pse, që nga viti 1990 ajo ndodhet në Paris, ajo ka pasqyruar përmes veprave të saj, situatën dhe gjendjen në Kosovë.

Përveç "Kosova mon Amour", ajo tanimë ka çuar në shtyp zhvillimin e marrëdhënieve mes Kosovës Serbisë dhe botës, me Titull: “La Liberation du Kosovo, n’a pas eu lieu” (Clirimi i Kosovës ende duhet të ndodhë!) mbi pengesat dhe mangësitë që e kanë ngujuar në pikën e nisjes shtetin e ri të Kosovës. Ajo sapo ka përfunduar skenarin e filmit dokumentar mbi masakrën e Podujevës me titullin politikisht jo-korrekt: “Viktima, a duhet doemos të falë?”

Ajo është shpërngulur në Paris që prej vitit 1990, është laureate e një masteri në Histori Arti dhe Metoda të historisë dhe aktualisht kryen Doktoratën ne Filozofi dhe Mendim bashkëkohor. Ajo ka punuar për UNESCO-n, BBC-në dhe nga viti 1999, në Radio Francën Internacionale, ku drejtoi redaksinë shqipe si shefe departamenti deri në mbylljen e saj 2011.

Aktualisht shkrimtarja Buda është e fokusuar në shkrimin e fiksionit dhe atë kinematografik. Ajo është e angazhuar edhe në përkthimin dhe botimin frëngjisht të autorëve shqiptarë që u persekutuan në totalitarizëm, autorëve madhorë si Gjergj Fishta apo Anton Pashku.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme