Tregimtari i mirë me shokë shumë dhe origjina e gjuhës

Tregimtari i mirë me shokë shumë dhe origjina e gjuhës

15 December 2018 15:56

Pakkush i jep përgjigjet e qarta, pakkush arrin t’i kuptojë ato e pakkush synon t’i interpretojë e kritikojë intepretimet e tjerëve.

Arsim Canolli

Çfarë bën antropologu? Në një anë ai thotë se merret me sjelljen, në anën tjetër me kulturën. Sa thotë se merret me shoqërinë rurale, sa dridhet në anën tjetër e thotë se merret me kulturën urbane. E ka definuar antropologjinë si “shkenca mbi njeriun”, por e ka quajtur vetë edhe si “shkenca e traditës”. Dikur shkonte në ishujt e largët për t’i matur “të egrit” me veten, tani rri në shpi të vet dhe e mat veten me tjetrin.

Shkurt: antropologët kurrë s’qenë të një goje për natyrën, qasjet dhe metodat e antropologjisë. Dhe, kjo kryesisht për arsye të konversacionit të shumëllojshëm që ka pasur antropologjia me të gjitha fushat. Krejt çfarë antropologët nuk copëtuan qe çilimi i tyre vrojtues, duke e shtuar në mes të shoqërive të ndryshme dhe duke dëgjuar tregimet e tyre. Duke gjetur “hullitë” e të “çarat” transcendentale për ta kuptuar botën e tjetrit. Por, prapëseprapë metoda apo qasja, nuk e përmbush zbrazëtirën që është krijuar në domethënine e fjalës antropologji. A është antropologjia shkencë që studion e shpjegon njeriun si qenie biologjike, duke kuptuar ndryshimet biologjike, psikologjike dhe historike mes nesh si homosapiens dhe primatëve tjerë të lartë apo neandertalëve, apo studion e shpjegon njeriun në bashkësinë e vet si qenie kulturore, duke analizuar ritet, simbolet, dhe tregimet që ia tregojnë vetes e tjerëve? A është shkencë apo dije? A është historike apo psikologjike? Si dallon prej sociologjisë? Ku pritet me biologjinë? Sa bën pyetje metafizike? A është antropologjia disiplinë që merret me rrëfimin mbi kulturën e vrojtuar, një lloj proze realiste? Sa është dialogjike, sa intencionale, sa subjektive e objektive?

Të gjitha këto pyetje kanë marrë përgjigje që ende janë vjerrë si keptë lartë nëpër muret e bibliotekës antropologjike. Pakkush i jep përgjigjet e qarta, pakkush arrin t’i kuptojë ato e pakkush synon t’i interpretojë e kritikojë intepretimet e tjerëve. Antropologjia si koncept ka mbetur e pabashkuar sikurse disa nga disiplinat tjera. Kjo ka qenë fuqia e saj, por sot po vjen e po bëhet edhe dobësia e saj. Sepse sot, secili që rrokëka në laps një temë që shëmbëllen me tematikën antropologjike, shpallkëka veten antropolog!? Si rezultat i kurrikulumit postmodern nëpër universitete, antropologjia ka mbetur ajo që bart barrën e arbitrit në diskutimet mbi përvetësimin kulturor dhe relativizmin moral. Madje një arbitër që shpesh merr mito nga ideologjitë e ndryshme. Megjithatë, një numër i madh antropologësh ende merren me tema dhe botojnë argumente esenciale për njohjen e njeriut, bëjnë pyetje metafizike, konversojnë brenda traditës dhe e hapin tutje imagjinatën antropologjike.

Një ndër antropologët që ka shkruar rreth teorive, qasjeve dhe metodave antropologjike, por edhe raportit të saj me disiplinat tjera, është Alan Barnard. Vepra e tij “Historia dhe teoria në antropologji” është përkthyer në gjuhën shqipe nga antropologia Lumije Kadriu. Aty Barnard jep një enciklopedi të zgjeruar të antropologjisë në kontekstin historik, sa që, përshtypja ime është se lexohet më shumë si fjalor se sa si libër. Por, në vitet e fundit, Barnard ka shkruar tri libra të një hullie tematike, por me nëntema specifike, ku ka dashur ta qëmtojë tutje pikërisht peshën e antropologjisë sociale për studimin e origjinës jerëzore apo kontributin e saj në këtë drejtim. Librat e parë është “Antropologjia sociale dhe origjina njerëzore” ndërsa libri i dytë quhet “Gjeneza e mendimit simbolik”, thënë në gjuhë levistrosiane. Libri i tretë në këtë seri të Cambridge University Press-it ka dalë me titullin “Gjuha në parahistori” [Language in Prehistory, 2016].

Në librin e tij “Gjuha në parahistori”, Alan Barnard bën pyetje, analizon teori, jep supozime dhe afirmon teza të caktuara mbi origjinën dhe zhvillimin e gjuhës. Si erdhi deri te gjuha? Pse evoluoi, si evoluoi, si u bë esenciale për homosapiens-in dhe pse? Barnard nis gjakimin e tij, duke theksuar se ndonëse do të shfrytëzojë argumente nga shkencat tjera ndihmëse, përvoja e tij në fushën e antropologjisë sociale është e mjaftueshme për të tentuar të gjejë sadopak një vrimë të vockël në murin e trashë misterioz që na ndan nga njohja e parahistorisë e sidomos origjinës e formimit të gjuhës. Duke qenë se Barnard ka studiuar fiset mbledhëse-gjahtare në Afrikë dhe kupton deridiku botën e tyre, ai synon që përmes kësaj frëngjie antropologjike të shenjojë disa pika kryesore që dalin nga rikonstruktimi i së kaluarës së homosapiensit gjahtar përmes njohjes së evidencës së të sotmes së tij, të shprehur në sjelljen dhe kulturën e fiseve mbledhëse gjahtare. Pra, qysh në fillim vërehet se Barnard është gjahtar në imagjinatën antropologjike, dhunti që pak antropologë e kanë.

Kemi theksuar edhe në raste tjera, se ideja e rikonsturktimit të së kaluarës parahistorike përmes modelit të sjelljes së atyre që “gjasuakan” apo paskan mbetur në të njëjtë gjendje sikur para 70, 000 viteve, nuk tingëllon bukur në antropologjinë postevolucioniste. Megjithatë, ende ka antropologë që provojnë mendime dhe lavrojnë këtë truall pavarësisht trumjeve e nemëve të shumicës së shkollarëve të sotëm të cilëve u ka vnue lmashk mbi krye serviliteti ndaj pedantizmit gjuhësor. Pa dyshim, që Barnad është i kujdesshëm por si duket fakti se niset nga kulla e tij formësuese në antropologji, e ka nxitur të guxojë të hyjë këto tema. N’dosh beso, n’dosh jo: ky është guxim për t’u çmuar në kohën e antropologjisë së sotme panuniversitare, që fantazon shumë e imagjinon pak.

Barnard hyn në temë duke sjell në diskutim mendimet kryesore mbi protogjuhën e homosapiens-it. Dihet se ekzistojnë katër modele të protogjuhës që dalin nga studimet e ndyshme deri më tani: ai leksik, muzikal, mimetik dhe i gjesteve. Shkollat e caktuar, rrymat e caktuara të mendimit përkrahim rryma të ndryshme. Së fundi ka edhe gërshetime të ndryshme sidomos pas ardhjes në dritë të evidencave të reja nga ajo që konsiderohet si “neuroshkencë”(Fatkeqësisht, shumë sosh rrëshqasin në “neuroshkencizëm”, dhe huqin nishanin e idesë fillestare!).

Libri i Barnard-it ka tetë kapituj, duke nisur prej parashtrimit të argumentit të diversitetit kulturor, kah evidencat e dhëna për kulturë parahistorike, deri te spekulimet se si mund të kenë menduar e krijuar tregime të përditshme e mitologjike çetat e para të homosapiens-it, e deri te seksi dhe gjuha. Libri përfundon me një diskutim për idenë e unifikimit të antropologjisë, sepse antropologjia është e gjitha sociale, qoftë arkeologjia, qoftë antropologjia fizike, qoftë ajo linguistike.

Barnard thekson disa aspekte esenciale në këtë libër që secili studiues i antropologjisë duhet t’i lexojë, e më me ngulm arkeologët që shpeshherë e shohin antropologjinë vetëm prej çardakut të tyre historiografik, pa hyrë në konversacion të gjerë. Së pari ai nënvizon se origjina e gjuhës nuk është e saktë por hamendëson se në bazë të gjetjeve të fundit gjenetike, konsiderohet se protogjuha e parë ka mundur të zhvillohet rreth 130 mijë vite më parë, e ndoshta edhe më herët, ndërsa gjuha është zhvilluar dikurr reth para 70 mijë viteve. Kjo për shkak të studimit të evidencave që ndërlidhen me mutacionin gjenetik (FOXP2) dhe mutacioneve tjera që presin të zbulohen. Së dyti, ai thekson se nuk është mirë te mendohet se cila ishte gjuha e parë, por sikurse variantet tipologjike të gjinisë “homo”, ashtu edhe gjuhët mund të kenë qenë të shumta. Ndonëse argumentet e tij janë mjaft të zakonshme, marrë në përgjithësi, një ndër argumentet më përndjellëse për lexim, ku vërehet një dritare e përputhjes kuptimplot, ndonëse misterioze, është rëndësia e përzgjedhjes seksuale.

Psikologjia kognitive tregon se kujtesa autobiografike është esenciale në krijimin e fjalorit gjuhësor apo ligjërimit të njeriut. Për ta zhvilluar kujtesën njeriu duhet të ketë fjalë për t’i përshkruar gjërat. Nga ky përshkrim, dhe në formë dialektike zhvillohet edhe mulliri kognitiv dhe si rezultat i tij sofistikohet edhe gjuha. Në këtë fazë, njeriu arrin të bluajë gjërat më mirë dhe t’i gatuajë ato në fjalë, të cilat gjithmonë kujtohen si prej tij si prej tjetrit dhe ky proces, evolutiv në qenësi, ka kontribuar në zhvillimin e mendjes, por edhe të asaj që ne sot e quajmë kulturë. Të paktën këto argumente vijnë nga matjet e psikologjisë së sotme kognitive, që Barnard e ka shfletuar mirë. Por, çfarë do të ishte pesha e tregimit nëse nuk ka kush ta tregon ose nuk ke kujt t’ia tregosh? Barnard përgjigjet në kapitullin mjaft inspirues mbi përzgjedhjen seksuale: “Çfarë do të thotë të jesh njeri? Mundësia për të rrëfyer, për të treguar tregim është një pjesë e rëndësishme se çfarë do të thotë të jesh njeri. Nëse tregimi do të jetë me të vërtetë i dobishëm, duhet të jetë i përfshirë në zgjedhje, dhe nuk ka zgjedhje më të rëndësishme se zgjedhja e partnerit. Kjo është e rëndësishme për arsye darviniane dhe na ndihmon të kuptojmë pse gjuha është rritur dhe ka përmirësuar mundësinë e saj shprehëse për aq sa ka arritur gjatë këtyre dhjetë apo qindra mijëra viteve.” Pra, të jesh njeri, me vulë të pashlyeshme njerëzore në mendjen e trupin tand është të jesh tregimtar, të paktën tregimtar i mirë për atë që shtrëngon në gji. Pa dyshim se këtu Barnard flet formalisht për strukturën dhe procesin e gjuhës, duke dhënë indicie se përzgjedhja seksuale e ka avancuar njeriun. Ai që tregon tregime më të mira e ka më të lehtë të gjejë partner për të çiftuar apo dashuruar. Arti i rrëfimtarisë është pos tjerash edhe galeri seksuale, thekson Barnard. Natyrisht se kjo ide është aparente në jetën e përditshme dhe nuk mund të kontestohet. Kjo njihet në antropologji si “efekti i Sheherzades” e cila është dashur të rrëfejë përralla të bukura për mbretin për të mbijetuar, si jepet në “Netët arabe”. Por, ky efekt e shndërron pamjen prej “përzgjedhjes seksuale” në “përzgjedhje linguistike”, përzgjedhja e partnerit për arsye të rrëfimeve të tij apo saj. Pastaj. Barnard thekson po ashtu se evidencat e gjeneve të njëjta “gjuhësore” edhe te neandertalët japin indicie se edhe ata kanë mundur të kenë gjuhë? Por çfarë ka ndodhur te pasardhësit e çiftimit neandertalë-homosapiens, pasi që kemi evidence se ka pasur çiftime homosapiens-i i sotëm bart gjenet e tyre në një masë të vogël? Askush nuk ka përgjigje definitive sot, por përgjigjet mund të vijnë në të ardhmen, sidomos kur harta gjenetike e neandertalëve është bërë pjesë e diskutimit shkencor.

Pa dyshim se Barnard na sjell libër kyç në leximin e antropologut mbi spekulimet e origjinës së gjuhës. Megjithatë, efekti encikopedik i Barnard-it të teksteve universitare, vërehet edhe në këtë libër. Shpeshherë shpjegimet vazhdojnë citat pas citati duke mos dhënë mendime autoriale. Kjo shkakton ngërç në lexim. Lexohet si një citatologji e zgjeruar. Megjithatë, duke konsideruar librat tjerë, ky libër por edhe gjithë trilogjia e tij e fundit, është më e lexueshme dhe më e kuptueshme. Alan Barnard vjen më konfident se kurrë si narrator për nevojën e dialogut të gjerë për kultivimin e imagjinatës antropologjike në vigjilje të zbulimeve të reja.

(Autori është antropolog, profesor në Departamentin e Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme