Kulturë

Simbolika e qëndresës dhe “fajet” e mosnënshtrimit

Romani më i fundit i Gani Mehmetajt, “Kalorësit e Dardanisë”, trajton tablo të gjera jetësore dhe një sfond të një realiteti nga e kaluara jonë historike, duke e përzgjedhur një temë të rëndësishme në gjithë ato përpjekje për mbijetesë etnike, gjeografike dhe identitare të paraardhësve tanë. Formimi, zhvillimi dhe aktivitetet e një formacioni ushtarak, i përbërë prej 300 kalorësish të përzgjedhur, të cilët janë në ballë të luftërave për mbrojtje të trojeve ilirike, si dhe në përkrahje të aleancave të ndryshme në rajone më të largëta, si në Daki, Traki, Panoni e në vise të tjera, paraqet objektin e trajtimit të kësaj proze, shkruan sot Koha Ditore.

simbolika e 300 kalorësve të ngjallë idenë sikur autori ka qenë i motivuar nga mitet dhe legjendat për bëmat e 300 luftëtarëve spartanë në mbrojtje të trojeve dhe kulturës së lashtë greke nga invadimet e persianëve në Greqinë antike, sado që origjinaliteti dhe ngjyrimi objektiv i ambientit kombëtar mbesin të dukshëm dhe të pakontestueshëm.

Romani nis me betimin e kalorësve dardanë, si një rend i këtij formacioni ushtarakësh, me rregulla strikte për besnikëri e qëndrueshmëri, një rend nderi që impononte qëndrim të palëkundur deri në sakrificë në mbrojtje të atdheut. Ngjarjet janë të vendosura në Dardaninë antike, në Gadishullin Ilirik, në një periudhë të gjerë kohore edhe para Perandorisë Romake e Bizantit, deri në Mesjetën e hershme, ku kalorësit luftonin kundër fiseve të tjera, si gotëve, vandalëve, vizigotëve, apo edhe kundër fiseve jo të qeta aziatike. /Muhamet Reçica

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.

Image