Kulturë

Ndryshimet klimatike përcaktojnë fjalën gjermane të vitit

“Heisszeit”, literalisht “mot i nxehtë” është fjala gjermane e vitit 2018. Këtë e ka bërë të ditur Asociacioni i Gjuhës Gjermane të premten. Shprehja gjermane për “Epokën e nxehtë” si antonim i “Epokës së akullt”, që është "Eiszeit”, ishte zgjedhur nga Asociacioni i Gjuhës Gjermane jo vetëm për të reflektuar një verë përvëluese, por edhe për shkak “të fenomenit global të fillimshekullit XXI, ndryshimeve klimatike”. Sipas jurisë, kjo shprehje është zgjedhur pasi ofron një lojë interesante me fjalë. Sidoqoftë, pak minuta pas publikimit të lajmit shumë gjermanë përdorues të Twitterit kanë shkruar ndër të tjerash se është hera e parë që e dëgjojnë këtë shprehje, shkruan sot Koha Ditore.

Vendin e dytë e ka zënë "Funklochrepublik", që i referohet faktit se ende janë disa rrjete si “Zona të vdekura” në Gjermani, një çështje e rëndësishme politike sa i përket këtij viti.

Asociacioni në vend të tretë ka zgjedhur fjalën “Ankerzentren”, literalisht “qendrat e ankorimit”, që ka të bëjë me qendrat e pranimit të refugjatëve. Sidoqoftë, fjala "Anker" nuk flet për një ankorim të tanishëm, por është një akronim i nxjerrë nga disa fjalë: "An(kunft)" (arritje), "k(ommunale Verteilung)" (shpërndarje komunale), "E(ntscheidung)" (vendim) dhe "R(ückführung)" (kthim).

Asociacioni për Gjuhën Gjermane zgjedh Fjalën Gjermane të Vitit rregullisht që prej vitit 1977. Çdo vit në dhjetor, një term a shprehje përzgjidhet për të siguruar “fosilet e indeksit verbal” dhe duke reflektuar një temë të rëndësishme të vitit. Ajo që ka rëndësi nuk është dukshmëria apo shpeshtësia e përdorimit në media, por domethënia e tyre dhe cilësia gjuhësore.

Në vitin 2017 ishte zgjedhur termi “Jamaika-Aus”, një shprehje për një situatë politike siç ishte kolapsi i “Koalicionit Jamaika”, negociatave midis Demokristianëve (CDU) dhe motrës së tyre partiake nga Bavaria, Unionit Social Kristian (CSU), Demokratëve të Lirë, (FDP) dhe të Gjelbërve, ngjyrat e të cilave janë e zeza, e verdha dhe e gjelbra, që asociojnë edhe flamurin e Xhamajkës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore.