Kulturë

“Okteti Plus” rikthehet me thurje zhanresh e në tjetër nivel

Descriptive Text

Prishtinë, 14 dhjetor – Një gërshetim i muzikës shqiptare, jazzit, bashkëkohores dhe sakrales e karakterizoi koncertin që shënoi rikthimin në skenë të “Oktetit Plus”.

Ky ansambël vokal, të mërkurën u ngjit në skenë pas mungesës disavjeçare. I themeluar në vitin 2005, me iniciativën e disa këngëtarëve në krye me Ylber Asllanajn, formacioni s’kishte qenë aktiv me koncerte të tilla, përderisa anëtarët kishin vazhduar karrierën. Tash janë bërë sërish tok, ani pse me përbërje ndryshe nga ajo e para 13 vjetëve, por edhe në nivel artistik. E kjo e ka vulosur edhe titullin e koncertit: “Next Level”. Përvoja e secilit dallueshëm reflektohet edhe në kor. Tani pjesë e tij janë tenorët Lirim Thaçi, Granit Musliu e Liridon Sadriu, baritonët Arlind Gjyshinca, Meriton Ferizi, Sokol Latifi dhe Artan Baruti, ndërsa Nikollë Gjini dhe Arbër Maliqi janë bas, kurse kontratenor, Safet Berisha.

Koncerti u hap me “Lulëzoi lulja” të Shime Deshpalit, për të vazhduar me “Ave Verum Corpus” të Francis Poulenc. Ata u ngjitën në skenën e Bibliotekës Universitare për të kënduar edhe “Lux Aeterna” të Michelle Roueche, një tjetër vepër korale e kompozuar në vitin 2000. Pasoi me “Dindirin, dindirin”, këngë anonime që besohet se është e shkruar në vitin 1500, por nuk i dihet autori. Në këtë pjesë të parë të koncertit ata më shumë iu dedikuan veprave korale. Pjekuria artistike dhe profesionizmi vërehej dukshëm. Kjo edhe për shkak se disa prej anëtarëve të oktetit janë pjesë e Korit të Filarmonisë së Kosovës.

Për të sjellë një atmosferë tjetër në këtë mbrëmje, ansambli i tunxhit “Prishtina Brass” solli dy vepra: “The great Albanian Warrior” muzika e kompozuar nga Çesk Zadeja, por që ansambli e solli versionin e aranzhuar nga Adrian Wagneri. Ata po ashtu sollën veprën “Habanera & Toreador Song” të aranzhuar nga Barnes. Kjo performancë i dha një shije tjetër kësaj mbrëmjeje dhe performancës a’kapella të “Oktet Plus”. Në pjesën e dytë në program ishin edhe pesë këngë të tjera.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)