Kulturë

Këshilli jofunksional “konstaton” gjendjen e rëndë të monumenteve

Prishtinë, 14 dhjetor – Një raport pa autorë me emra konkretë, të cilit nuk kanë mundur t’i qëndronin prapa as ata që e kanë prezantuar, përfshin projektet kapitale të trashëgimisë kulturore për një dekadë. Sekretariati i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore i ka dhënë vetes të drejtë që të shpalosë “Raportin për projektet e investuara në trashëgiminë kulturore nga Ministria e Kulturës 2008-2018”. Sipas shpjegimeve, bëhet fjalë për një analizë të gjendjes aktuale të trashëgimisë kulturore. I ndarë në tre kapituj, Raporti pasqyron gjendje të rëndë në disa fusha të trashëgimisë.

Por pavarësisht konstatimeve, nuk jepet ndonjë argument. Për këtë arsye të enjten ka pasur edhe përplasje midis përfaqësuesve të KKTK-së dhe atyre të Ministrisë së Kulturës. KKTK-ja është jofunksionale që nga maji i këtij viti, kur u ka skaduar mandati katërvjeçar 7 anëtarëve. Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka zgjedhur përbërjen e re.

Udhëheqësi ekzekutiv i KKTK-së, Isuf Koci, ka thënë se janë mbi 20 milionë euro që MKRS-ja ka ndarë për 10 vjet sa u përket investimeve në trashëgiminë kulturore. Menjëherë pas kësaj ka thënë se ky organ është i vetmi që vlerëson projektet në fushën e trashëgimisë.

“Asnjë projekt nuk ka ardhur në Këshill”, ka thënë ai. Më pas anëtarë të tjerë kanë bërë prezantimin e Raportit prej 79 faqesh.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)