Kulturë

“Një perspektivë ndryshe!” me rrëfimin unik përtej imazheve

Prishtinë, 14 dhjetor − Dhjetori i ftohtë në ujëvarën e Mirushës e pamje dimërore të maleve të Sharrit janë përjetësuar nga një perspektivë ndryshe. Fotografi Agon Nimani i sjell para publikut në një mënyrë fort të veçantë.

Këto pamje të bukura, bashkë me atmosferën e haresë dimërore të fëmijëve e momenteve kur ata luajnë basketboll në oborrin e shkollës, gërshetohen e qëndrojnë karshi me ato të pjesëve të mbeturinave të termocentralit “Kosova B” a makinerive që bartin material për ndërtimin e autostradës. Në një fotografi të titulluar “Gone but not forgotten”, Nimani kap nga lartësia varrezat e qytetit të Prishtinës në “Dragodan”.

Jeta bashkë me vdekjen, e bukura me të shëmtuarën, shkrihen në 30 fotografi të cilat janë ekspozuar në një vend. Ekspozita e titulluar “Një perspektivë ndryshe!” e Nimanit u hap të enjten mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës. Galeria qysh në njoftimin për hapjen e ekspozitës personale të Nimanit e ka paralajmëruar audiencën që do të përballet me veprat e një autori me përvojë të vlefshme në dizajn dhe multimedia.
“Kjo përmbledhje kompozicionale e imazheve fotografike është gjuha, mënyra e komunikimit të cilën autori e përdor në këtë rrëfim të përkryer vizual. Është një punë unike e artit bashkëkohor, një perspektivë ndryshe nga ajo që kemi parë!”, ka qenë paralajmërimi i kuratorit të ekspozitës, Burim Myftiu.

Të enjten mbrëma në ceremoninë hapëse Myftiu ka thënë se Agon Nimani në këtë ekspozitë është paraqitur me një përmbledhje të fotografive dhe imazheve teksa ka zbërthyer natyrën e punës së tij.

Agon Nimani, me rastin e hapjes së ekspozitës “Një perspektivë ndryshe!”, ka rrëfyer se si ka zënë fill ideja e tij për t’u marrë me këtë lloj fotografie.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)