Kulturë

Portreti i Skënderbeut në Prizren përfundon në parking, paralajmërohen hetime

Descriptive Text

Prizren, 13 dhjetor – Mozaiku me portretin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, që ishte vendosur në sheshin e Lidhjes në Prizren, me rastin e shënimit të festës së 28 Nëntorit, është larguar nga ky lokacion. Për më tepër, mozaiku që dukej se ishte përdhosur, ishte vendosur në mënyrë joadekuate në parkingun prapa ndërtesës së Komunës së Prizrenit. Këto veprime kanë ngjallur reagimin e autorit të veprës, por edhe të qytetarëve të shumtë nga Prizreni, si dhe nga komunat e tjera të Kosovës.

Autori i kësaj vepre, Besart Gashi, në rrjetet sociale ka postuar pamjen e gjendjes së veprës së tij të vendosur mbrapshtë në njërën skutë të parkingut që ndodhet prapa Komunës.

“Kjo është gjendja e mozaikut të kryeheroit Gjergj Kastrioti–Skënderbeu, të cilin e punova për nder të festës së 28 Nëntorit për qytetin e Prizrenit. Komuna e Prizrenit e ka tërhequr nga ai vend mozaikun ku u vendos për 28 Nëntor pa më informuar fare dhe e kanë dërguar në parkingun e automjeteve, i cili gjendet prapa Komunës. E kanë vendosur në mënyrën më barbare të mundshme, me kokë mbrapshtë”, është shprehur Gashi në rrjetet sociale.

Pamjet e mozaikut në parkingun prapa Komunës së Prizrenit, të martën mbrëma, janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe janë publikuar në media. Lidhur me këtë çështje kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se lajmin e ka marrë nga mediat. Ka paralajmëruar masa për ata që e kanë bërë një veprim të tillë.

Ai ka theksuar se rasti do të hetohet për të gjetur personat e papërgjegjshëm që kanë bërë një gjë të tillë.

“Mozaiku pasi është larguar nga vendi ku ishte u pastrua dhe u vendos në një vend më të sigurt, ndërkaq rasti do të hetohet deri në gjetjen e personave të papërgjegjshëm që e kanë shkaktuar këtë akt”, ka theksuar Haskuka.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

{gallery}