Kulturë

“O. Taka” me vallëzimin midis burgut e pasionit

Rrëfimi për valltarin Osman Taka është i njohur në Shqipëri. Sidomos në jug të vendit bregdetar. Rrëfimet gojore për të, por edhe ato të shkruara plotësojnë goxha portretin e artistit të shekullit XIX. Historia thotë se si kryengritës luftonte Perandorinë Osmane, që mbante nën pushtim Shqipërinë. Kur ishte dënuar me vdekje, dëshira e fundit ishte që të vallëzonte. Historia e Takës që u vra në Janinë është krejt ndryshe kur lexohet. Të paktën në aspektin emocional, shkruan sot Koha Ditore.

Portreti i tij prej atdhetari, artisti e njeriut që i vriten dëshira, pasioni e i merret edhe jeta, përmblidhet në një shfaqje baleti. Në këtë version, publiku futet në botën shpirtërore të Takës. Litari i varjes si rekuizita e parë në skenë në shfaqjen “O.Taka” me koreografi të Sinan Kajtazit – që është dhënë premierë të enjten mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës – është paralajmërimi i një rrëfimi sa revolucionar aq edhe të ndjeshëm.

Kostumografia e balerinëve është ajo që kthen kohën prapa për më shumë se një shekull. Gjendja emocionale e Takës, që portretizohet nga balerini Fatmir Smani, është ajo e një burgu fizik e shpirtëror. Në të zeza janë të veshur ata që mbajnë pushtetin. E në të bardha balerinët që figurativisht janë pasioni i Takës - vallëzimi.

(Më shumë lexoni sot në Koha Ditore)