Prizreni rikujtoi shkrimtarin Sulejman Krasniqi

Prizreni rikujtoi shkrimtarin Sulejman Krasniqi

07 dhjetor 2018 09:40

TIRANË, 6 dhjetor - Sulejman Krasniqi, shkrimtari i madh shqiptar i njohur ndryshe si Balzaku i letrave shqipe, është përkujtuar në ditën e tij të lindjes në një takim letrar të zhvilluar sot në Prizren, raporton ATSH.

Mes shkrimtarëve, njerëzve të penës, familjarëve të tij, lexuesve të disa brezave që kanë lexuar dhe adhuruar krijimitarinë e tij duke u njohur me to edhe në fshehtësi, risollën për publikun kosovar jetën, veprat dhe shpirtin e tij “rebel” ndaj kohës, por të pavdekshëm në realizmin e tyre të çdo epoke.

Në mbrëmjen përkujtimore kushtuar figurës por edhe veprave të shkrimtarit Sulejman Krasniqi, Nexhat Cocaj mbajti ligjëratën e tij duke e cilësuar atë një mjeshtër edhe të historisë, ku hollësirat historike të romaneve të tij ndikuan në krijimtarinë kombëtare.

Njeriut që ngriti në art figurat historike të kombit duke i kthyer në mite të pavdekshëm dhe që i bëri ballë presioneve e internimeve në Shqipëri vetëm për hir të kombit, Cocaj propozoi që studiuesit të bëjnë një monografi për jetën dhe veprën madhore të Sulejman Krasniqit, pasi e gjithë vepra e tij ka qenë në shërbim të çlirimit të Kosovës.

“Sulejman Krasniqi i takon brezit shqiptar, që brenda një periudhe të shkurtër kohore sa jetoi në Kosovë gjithsej 21 vjet, t’i përjetojë tri stinë të Kosovës: lindi në sistemin e Mbretërisë Jugosllave, si fëmijë u rrit në kohën që populli e njeh si Shqipnia e Dytë deri më 1944, për ta vazhduar rritën në sistemin e shtypjes së egër të regjimit serb pas riokupimit të Kosovës më 1945 dhe dhjetë vite më vonë edhe në kohën e Aksionit të armëve ose siç njihet në popull kohën e Rankoviqit. Mbase do t’i duken dikujt pse po përkujtohet Sulejman Krasniqi në Prizren, përgjigja është thjeshtë, sepse ai në hapat e parë të krijimtarisë së tij letrare e nisi pikërisht në Prizren, derisa ishte nxënës në gjimnazin e qytetit historik të Prizrenit, kur botoi përrallën “Pallati prej Dukati” me 1500 vargje, historia e lavdishme e këtij qyteti që do ta përcjellë gjatë gjithë jetës së tij”, – tha Cocaj gjatë fjalës së tij.

Më tej, ai u drejtua të pranishmëve duke nënvizuar se “për krijimtarinë letrare të Sulejman Krasniqit deri më tash kanë shkruar autorë kritikë të letrave shqipe, të cilin e kanë cilësuar si shkrimtar të faktit dhe jam i vetëdijshëm se brenda pak rreshtave nuk mund të them diçka më shumë se ata që kanë shkruar më parë, por do të përpiqem që në këndvështrimin tim t’i them disa gjëra për të cilat mendoj se kanë ndikuar në krijimtarinë kombëtare të tij e në veçanti në romanet historike, të cilat i shkroi me aq mjeshtëri dhe me hollësira historike. Gjatë leximit të vëmendshëm të romaneve historike të Sulejman Krasniqit të lënë përshtypje pos ngjarjeve historike, edhe saktësia e shkrimit të vendeve ku autori e ndërton rrëfimin artistik. Në këtë mënyrë Sulejman Krasniqi ngjarjet që i rrëfen i përshkruan me një saktësi topografike, sa të lë përshtypjen se vetë autori ka qenë i pranishëm.

Veprat si “Tri motra, tri histori”, “Në shpellën e banditëve”, “Beteja të nëndheshme”, “Besëlidhja Shqiptare”, “Belbacakja”, “Rrëfimet e majorit”, “Makthi i hijeve”, “Kreshnikët”, “Evropë”, “Rapsodi e Kosovares”, “Rebeli i bajraqeve”, “Jetëshkrim” etj.

Gjithashtu, Sulejman Krasniqi shkroi edhe novela, ese, drama e melodrama, siç janë: “Rrustë Kabashi”, “Heronjtë e borës”, “Kreshnikët”, “Evropë deri ku do të keqpërdorësh durimin e Kosovës shqiptare”, etj. Këto vepra autori i ka shkruar duke u bazuar në të dhëna historike, ato të dhëna që autori i letrarizon. Për fund, i vetëdijshëm se me pak fjalë nuk mund të përshkruhet veprimtaria e madhe e Sulejman Krasniqit e as të analizohet me pak rrjeshta, propozoj që dikush nga studiuesit ta marrin për obligim, që ta bëjnë një monografi për jetën dhe veprën madhore të Sulejman Krasniqit. Dhe kjo detyrë na takon neve në Kosovë, sepse e gjithë vepra e Sulejman Krasniqit ka qënë në shërbim të çlirimit të Kosovës, të cilin çlirim e përjetoi vetëm për pak vite”.

Nga Instituti i Biografive të Kembrixhit, Sulejman Krasniqi është klasifikuar si personalitet botëror mes 2000 shkrimtarëve të botës së shekullit XX.

Si lexoheshin brenda 24 orëve librat e shkrimtarit Krasniqi

Berat Batiu, Kryetari i Shoqatës së Krijuesve në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se veprat e Sulejman Krasniqit ishin të ndaluara për kohën, megjithëse ato lexoheshin fshehtas, natën, brenda 24 orëve.

“Është ditëlindja e shkrimtarit Sulejman Krasniqi. Deshëm ta kujtojmë veprën e tij dhe personalisht Sulejman Krasniqin”. Secili thotë unë kam lexuar librat dorë pas dore të Sulejman Krasniqit, – u shpreh Batiu, duke shtuar se një nga arsyet e këtij aktiviteti ishte edhe që, – ta ringjallim krijimtarinë e tij letrare edhe në qytetin e Prizrenit”.

Batiu kujtoi se “në vitin 1999 me kthimin e tij në Prizren dhe në vendlindje ishte vërtetë një festë e veçantë, festë e madhe e lirisë, pasi Sulejmani kthehej pas 40 e ca vitesh në shtëpinë e tij. Na kanë mbetur përshtypje të jashtëzakonshme, kemi ndenjur me ditë të tëra, ne kemi pasur endje ta takojmë Sulejmanin, pasi i kishim lexuar veprat e tij në mënyrë ilegale”.

Veprat monumentale të Sulejman Krasniqit për figura historike të popullit shqiptar, si Mic Sokoli, Bajram Curri, Shote Galica, Oso Kuka etj., siguroheshin në fshehtësi dhe qarkullonin dorë më dorë duke u lexuar brenda 24 orëve.

Vetë Batiu tregon se e merrnin librin nga shoku në kohë të caktuar, brenda 24 orëve për t’u lexuar në fshehtësi, ndryshe dënimi për këtë ishte i rëndë, deri në burg. “Prijësja e komiteve” e kam lexuar për 24 orë, e gjeta në një kishë, pasi vepra e Sulejman Krasniqit ishte e vështirë për t’u gjetur pasi po të zinin me veprën e Sulejman Krasniqit dënoheshe me burg, sepse duke lexuar veprat e tij, ti ishe kundra shtetit”, – u shpreh i emocionuar Batiu.

“Mic Sokoli” i Krasniqit, në fshehtësi nga Shqipëria në Kosovë

Veprimtar i lirisë dhe pedagog, eseist dhe publicist i shquar, poet e dramaturg, novelist e romancier i shkëlqyer, me mbi njëzet vepra të botuara, Sulejman Krasniqi konsiderohet si përfaqësues dhe mbrojtës i vlerave historike shqiptare, por edhe një nga kultivuesit më të zellshëm të tyre.

Një prej botimeve të tij, libri me titull “Mic Sokoli, i botuar me rastin e 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, do të sillej fshehtas nga Shqipëria drejt Kosovës për t’u lexuar po në fshehtësi brez pas brezi.

Hidajete Osmani Bytyçi, tregon mënyrën se si i fshihnin librat e tij, për të mos u kapur nga udhëheqësit e kohës.

“Librin “Mic Sokoli” ma solli dhuratë nga Tirana, sepse unë nuk kisha të drejtë të shkoja për vizitë në Shqipëri, sepse isha e bija e një të burgosuri politik. Këtë libër e kemi lexuar dorë pas dore duke ua dhënë edhe shoqeve që jetonin në konvikt me sugjerimin që natën ta lexonin, ndërsa ditën ta fshihnin tek parmaku, nën llastrën e dritares, në mënyrë që të mos lagej dhe të ruhej për të mos u zbuluar. Më pas në vitin 1981 unë jam burgosur, libri ka mbetur në konvikt pasi kanë rikonstruktuar konviktet e studentëve ndoshta e ka gjetur dikush, nëse e ka gjetur dikush këtë libër, ai është imi”.

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Sulejman Krasniqi, lindi më 7 dhjetor 1937, në fshatin e lashtë të Kosovës, në Hoçë të Vogël.

Sulejman Krasniqi radhitet ndër figurat më të shquara të letërsisë shqiptare. Disa nga kritikët e quajnë si “Balzaku shqiptar”, të tjerët e vlerësojnë si “shkrimtar i të vërtetës historike”, ndërsa një kategori tjetër e kritikëve thonë se ka qenë “shkrimtar i rezistencës dhe i frymëzimit të brezave”.

Në të vërtetë, shkrimtari që shkruajti historinë e u bë më në fund vetë pjesë e historisë dhe pavdekësisë, Sulejman Krasniqi ka qenë shkrimtar i së vërtetës historike dhe simbol i rezistencës e i frymëzimit të brezave me dashurinë ndaj vendlindjes. Ai ishte një figurë komplete si njeri, një intelektual i një kalibri të lartë, një shkrimtar i shquar dhe një atdhetar i flaktë që e donte njësoj çdo pëllëmbë të tokave shqiptare. Këtë e dëshmoi me punën dhe veprën e pavdekshme të tij.

Në shtypin periodik dhe ditor Sulejman Krasniqi ka shkruar mijëra faqe si skica, tregime, artikuj, reportazhe, pamflete e të tjera dhe ka ka botuar mëse 21 vepra të veçanta, përfshirë këtu edhe romanin e fundit autobiografik, i cili u botua pak kohë para se të ndërronte jetë shkrimtari. Ndër veprat më të njohura janë: “Tri motra, tri histori”, novelë, 1972, “Në shpellën e banditëve”, roman, 1973, “Qielli i përflakur”, roman 1974, “Prijësja e komitëve“, 1975, “Beteja e nëndheshme“, 1976, “Lindita”, 1977, “Rrustë Kabashi”, 1978, “Mic Sokoli”, 1979, “Besëlidhja shqiptare”, 1980, “Pushka top, Bajram Curri”, 1982, “Dardanët”, 1985, “Heronjtë e bores”, 1985, “Oso Kuka”, 1986, “Shqiptarofobia e serbomëdhenjve”, “Njeriu dy herë i pushkatuar”, 1991, “Belbacakja“ 1982, “Rrëfimet e majorit”, 1993, “Evropë, deri kur do të keqpërdorësh durimin e Kosovës shqiptare”, 1996, “Rapsodia e kosovares”, 1999, “Rebeli i bajraqeve”, 2010 dhe libri i fundit autobiografik, “Jetëshkrim”, 2011.

Shkrimtari i mirënjohur, Sulejman Krasniqi, lëvroi me pasion historinë duke sjellë që nga viti 1958 në Shqipëri botën e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën ish-Jugosllavi.

Sulejman Krasniqi është ndarë nga jeta më 16 korrik 2011.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme