Misionet austro-hungareze me kontribut madhor në arkeologjinë shqiptare

Misionet austro-hungareze me kontribut madhor në arkeologjinë shqiptare

06 dhjetor 2018 08:44

Tiranë, 6 dhjetor – Konferenca e mbajtur të martën, organizuar nga Ambasada e Austrisë në Tiranë, Institutit Shqiptar i Arkeologjisë dhe Muzeut Historik Kombëtar, ka nxjerrë në pah kontributin e misioneve austro-hungareze në arkeologjinë shqiptare. Pos kësaj, ka dhënë edhe një panoramë të përgjithshme të rrugëtimit të tyre shkencor, të cilët me pasion dhe përkushtim zbuluan dhe dokumentuan mjaft të dhëna arkeologjike për qytete të ndryshme antike të Shqipërisë.

Të dhënat më të hershme të kërkimeve austriake rreth pasurive arkeologjike të Shqipërisë vijnë nga arkeologu i njohur austriak, Karl Paç, i cili në fakt mbyll edhe serinë e udhëtarëve arkeologë në fillim të shekullit XX, raportojnë mediat shqiptare.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, dhe ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sattler, kanë hapur konferencën duke theksuar se studimet arkeologjike në Shqipëri përjetuan një etapë të re gjatë viteve 1916-1918.

“Akademia e Shkencave të Vjenës në bashkëpunim me komandën e trupave austro-hungareze, të cilat kishin pushtuar pjesën më të madhe të territorit Shqipërisë, organizuan ekspedita informative me qëllim të identifikimit dhe grumbullimit të objekteve të ndryshme arkeologjike, dhe si rrjedhojë duke realizuar një vlerësim paraprak mbi pasurinë arkeologjike të Shqipërisë, si dhe fazat historike të këtij territori”, citohet të ketë thënë Koçi.

Një pjesë e këtyre objekteve arkeologjike, të identifikuara prej arkeologëve austriakë, janë përfshirë si pjesë e ekspozitës arkeologjike të përhershme në katin e parë të Muzeut Historik Kombëtar, ku veçohet mozaiku i ashtuquajtur “Bukuroshja e Durrësit”, ndër punimet e para të artit muziv të dëshmuar në territorin shqiptar, që daton nga fundi i shekullit IV – fillimi i shek III para erës sonë. Zbulimi në vitin 1958 u realizua pikërisht falë njoftimeve të shënuara më parë nga Prashniker.

Një objekt tjetër i ekspozuar në muze, identifikuar nga Prashniker e Shober, është stela e varrit e njohur si e Falakrës dhe Neagenës, që daton fundi i shekullit III - fillimi i shekullit II para erës sonë. Një gjetje interesante përbën edhe portreti prej mermeri i perëndisë Silen, identifikuar fillimisht nga arkeologu austriak Paç, në muret e manastirit të Apollonisë.

Konferenca u mundësua nga Sabine Ladstatter dhe Alexander Sokoleviq nga Instituti Arkeologjik Austriak në bashkëpunim edhe me arkeologët e profesorët shqiptarë si Neritan Ceka, Luan Përzhita dhe Bashkim Lahi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme