“I dashuri unë” me aktorin e përhumbur në realitet e imagjinatë

“I dashuri unë” me aktorin e përhumbur në realitet e imagjinatë

Sihana Klisurica 05 dhjetor 2018 10:32

Përballja me veten si pasqyrim i një të kaluare jo fort te lehtë dhe një të tashmeje më ndryshe vjen si pikë kryesore e romanit më të ri të aktorit dhe regjisorit, Arben Kastrati. Ai gërsheton realitetin me imagjinatën për të sjellë një rrëfim i cili shpalos detaje të përjetimeve të brendshme të autorit.

Madje edhe personazhi kryesor në romanin e tij e ka emrin Arben. Edhe ai është aktor. “I dashuri unë” duke luajtur me kartën e fiksionit dhe reales bën shpesh që këto të dyja të mos dallohen qartë.

Në këtë roman Kastrati e çon lexuesin drejt pyetjeve identitare, duke rrëfyer vështirësitë e të qenit shqiptar në ish-Jugosllavi. Këtë e bën nëpërmjet tri gjeneratave të ndryshme, prej gjyshit, babait të tij dhe në fund vetes, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në këtë rast familja e personazhit kryesor të romanit detyrohet të shpërngulen nga një vend shqiptar në vendin tjetër shqiptar ku ushtrohet më pak dhunë. E kur shpërthen lufta e fundit në Kosovë, Arbeni futet në kinema i cili duke shikuar filmat që shfaqen, nis e bëhet pjesë e një realiteti imagjinar dhe qëndron aty edhe pas mbarimit të luftës. Ai nuk e di se lufta ka mbaruar. Në këtë formë Kastrati sjell një aktor disi të humbur, të strukur në një botë inekzistente, brenda ekranit të madh, sikur shpreson se jeta e tij të ishte ndryshe.

“I dashuri unë” u botua vitin e kaluar dhe ka qenë i nominuar për çmimin “Kadare” në Shqipëri, të cilin e mori shkrimtari Musa Ramadani për romanin “Profeti nga Praga”.

Libri i Kastratit u promovua të martën në Prishtinë. Me këtë rast ai solli ca detaje të temës që trajton romani i tij, i cili shtrihet në rreth 360 faqe dhe 16 kapituj.

“Kam pasur vite të vështira pas luftës. Kur kam qenë i vetëm dhe i vetmuar siç kam qejf ta quaj. Në atë kohë vetja më ngjante me një thënie të aktorit jo të mirë, por të famshëm John Wayne, i cili ishte pyetur se ku është dallimi mes aktorit evropian dhe atij amerikan. Ai tha: “aktori i papunë amerikan quhet dështak, ndërsa aktori i papunë evropian quhet artist”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme