Kulturë

Shkrimtari prizrenas Taner Güçlütürk nderohet me çmim nga IWA Bogdani

Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani” ka nderuar me “Çmimin e Letërsisë për vitin 2018”, shkrimtarin nga Prizreni, Taner Güçlütürk, raporton Koha Ditore

Güçlütürkut, ky çmim i është dorëzuar në Prishtinë, bazuar në punimet letrare që ka realizuar deri më tani. Sipas njoftimit të shkrimtarit prizrenas, kryetari i Shoqatës Ndërkombëtare të Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani”, Jeton Kelmendi ka theksuar se “Güçlütürk ka arritur një nivel të lartë për nga pikëpamja e cilësisë letrare me punimet që ka botuar deri më sot.”

“Ky çmim i përmasave ndërkombëtare që jepet nga IËA Bogdani ka për synim vlerësimin e shkrimtarëve, të cilët në zhanret e tyre si poezi, roman, teatër ose përkthim duke vënë në qendër të vëmendjes njeriun nxjerrin në pah punime cilësore dhe të afirmuara”, ka thënë Kelmendi.

Tutje ka shtuar se Güçlütürk është një prej studiuesve, poetëve dhe shkrimtarëve të rinj me vlera që ka Ballkani dhe Kosova, i cili përmbush më së miri këto kritere. Sipas njoftimit, Kelmendi ka vënë në dukje se Güçlütürku ka botuar përkthime të vlefshme për njohjen e letërsisë moderne të Kosovës dhe ka çuar përpara punime të tjera për ruajtjen dhe vijimësinë e letërsisë turke në Kosovë. Ndërsa Güçlütürk është shprehur mirënjohës për nderimin me këtë çmim.

Güçlütürk ka bërë të ditur se deri në vitin 2018 ka mbajtur gjithsej 9 konferenca me tema të ndryshme në rangun kombëtar dhe ndërkombëtar, pastaj mban firmën e 31 referateve shkencore të botuara nëpër revista shkencore dhe të prezantuara në simpoziume kombëtare dhe ndërkombëtare.

Veç këtyre ai ka theksuar se është autori i i gjithsej 9 veprave ndër të cilat 2 monografi, 1 poezi, 1 hulumtim-analizë, 2 antologji, 2 përkthime dhe një libër tregimesh, dhe se momentalisht posedon edhe 4 punime të tjera për botim. Ka deklaruar se në vitin 2005 ka fituar çmimin si gazetari i vitit në Kosovë dhënë nga rrjeti i Radiove të të Drejtave të Njeriut dhe Organizata e Mbrojtjes së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Finlandë dhe se në vitin 2008 në qytetin Obernai të Francës ka marrë pjesë në garën ndërkombëtar të poezisë, ku ka fituar një tjetër çmim.

Shoqata Ndërkombëtare e Shkrimtarëve “Pjetër Bogdani” me qendër në Prishtinë dhe Bruksel, përveç punës me botime dhe me aktivitete letrare që ka realizuar deri më sot, vlerëson çdo vit me çmime letrare krijuesit që kanë bërë emër dhe ka dhënë kontribut në këtë fushë.

Sipas njoftimit, ky institucion i letërsisë, këtë vit krahas Taner Güçlütürkut dhe Anton Markut nga Kosova, ka nderuar me çmimet e tjera ndërkombëtare të letërsisë në zhanre të ndryshme edhe personalitete të tjera si Sándor Halmosi nga Hungaria, Agron Shele dhe Aleksandër Çulaj nga Shqipëria, Maria Miraglia nga Italia, Milutin Djuričković nga Serbia, Fernando Rendón nga Kolumbia, Ion P. Iacob dhe Mihai Firiča nga Rumania, Baki Ymeri dhe Sašo Ognanovski nga Maqedonia, Susana Roberts nga Argjentina.