Kulturë

“Klithma e heshtjes së gruas” me ngjyrat dhe fuqinë e artit

Gruaja tradicionale dhe ajo bashkëkohore takohen me njëra-tjetrën nëpërmjet portreteve. Njëra prezantohet si skulpturë brenda kornizës dhe e “zbukuruar” me elemente tradicionale. Tjetra paraqitet me një kolorit ngjyrash që i japin pamjen e një gruaje të bukur e të lumtur. Por në fakt, gratë e paraqitura në këto dy versione kanë brengat, problemet dhe përgjegjësitë, të cilat vijnë nëpërmjet syve të tyre ose në rastin tjetër në bazë të elementeve që u japin formë. Megjithatë, ato në rend të parë prezantojnë nënën e gruan kosovare që nuk zmbrapsen pavarësisht sfidave. Del në pah krenaria e fortësia e tyre.

Ky mishërim i ideve dhe i koncepteve erdhi si i tillë në ekspozitën “Klithma e heshtjes së gruas” me vepra të piktores Mjellma Goranci-Firzi dhe skulptores Shqipe Kamberi. Veprat e tyre tashmë janë paraqitur disa herë në kryeqytet, por edhe jashtë vendit. Por të hënën ato u bënë bashkë për një tjetër arsye. Kjo ekspozitë u hap në kuadër të promovimit të gruas kosovare në diplomaci kulturore dhe art modern të organizuar nga Qendra Informative dhe Kulturore e Bashkimit Evropian në Prishtinë, me moton “Gratë e Kosovës në promovimin e artit dhe kulturës”. Goranci-Firzi dhe Kamberi u bënë të parat që hapën programin që u dedikohet grave të suksesshme, të cilat artin dhe krijimtarinë e tyre i kanë prezantuar jashtë vendit. Të martën, regjisorja e re kosovare More Raça do të bëhet pjesë e ditës së dytë të këtij aktiviteti. Me këtë rast ajo do të prezantojë filmin e saj të fundit “Ajo” me të cilin tashmë ka arritur të shëtisë botën, duke mbledhur çmime të shumta nëpër festivale të kategorisë “A”, dhe njëkohësisht edhe mundësinë për kualifikim për nominim për “Oscar”. Në ditën e tretë, të mërkurën, do të mbahet paneli i diskutimit “Diplomacia kulturore e udhëhequr nga gratë”. Si tërësi këto aktivitete kanë për qëllim fuqizimin e grave, ngritjen e zërit kundër dhunës dhe thirrjen për barazi gjinore.

Vjosa Berisha, udhëheqëse e projektit në Qendrën Informative të BE-së, ka thënë se muaji dhjetor është prezantuar si muaji i gruas në art dhe kulturë.

Këto dy artiste kanë ekspozuar së bashku edhe më parë, por që kësaj radhe me artin e tyre bashkohen në ngjarjen e cila fokusohet veçanërisht në fuqizimin e grave. 

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)