Kulturë

Komuna e Prishtinës vonon ndarjen e subvencioneve për kulturë

Prishtinë, 20 prill - Emrat e atyre që do të përfitojnë nga subvencionet e Komunës së Prishtinës në fushën e kulturës, me gjithë paralajmërimin se do të publikoheshin në muajin mars, ende nuk dihen.

Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport arsyetohet se numri i madh i kërkesës për përkrahje, në shtatë kategori, është shkak për shtyrjen e publikimit të rezultateve. Janë rreth 300 kërkesa për mbështetje që i janë adresuar e që përfshijnë fushën e kulturës, rinisë e të sportit. Por, nga ana tjetër, organizatorët e festivaleve e të aktiviteteve kulturore thonë se këto vonesa po ua ngarkojnë punën dhe po ua pamundësojnë përcaktimin e programit të edicionit të sivjetmë, shkruan sot Koha Ditore.

Në fillim të vitit Komuna kishte lansuar thirrjet për subvencione me kritere të ashpërsuara. Një prej kushteve kryesore ishte prezantimi i dëshmive për sigurimin e një pjese të buxhetit të planifikuar - e që në disa fusha arrin deri në 50 për qind. Ky kriter nuk kishte qenë viteve të kaluara. Të shpërndara në shtatë kategori, thirrjet për përkrahje të kulturës përfshijnë ato për arte vizuale, për botim, për festivale, për film, për manifestime dhe organizime, për mbështetje vjetore, për muzikë dhe për teatër. Afati për dorëzimin e projekteve ka qenë 20 shkurti, por vlerësimi ende nuk ka përfunduar.

Besart Vllahinja, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport në Komunën e Prishtinës, në shkurt të këtij viti kishte thënë se “rezultatet do të shpallen gjatë muajit mars të vitit 2017”.

“Numri i madh i kërkesave të pranuara ka reflektuar edhe në kohën e nevojshme për shqyrtimin e kërkesave”, ka thënë Vllahinja, sipas së cilit janë afërsisht 300 projekte për kulturë, rini dhe sport që kanë aplikuar. Ai nuk ka dhënë një datë tjetër lidhur me atë se kur do të bëhet publikimi i emrave të atyre që do të përkrahen nga Komuna e Prishtinës (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.