Kulturë

Bekim Lumi kujtohet në Gjermani si reformator i teatrit kosovar

Descriptive Text

E organizuar si një shfaqje më vete, ceremonia komemorative për regjisorin Bekim Lumi në Teatrin Kombëtar të Kosovës në korrik të këtij viti bëri që ai të nderohej në një tjetër formë: si njeri që jetonte për teatrin. Pikërisht i tillë është kujtuar edhe në Münich të Gjermanisë pasditen e së shtunës.

Takimi, siç shihet nga materialet që i janë përcjellë gazetës bashkë me fjalimet që janë mbajtur atje, ka nisur me një video të ceremonisë së tij mortore, shkruan sot “Koha Ditore”. Kujtimi me moton “Për nder të Bekim Lumit” në “Theater Heppel & Ettlich” ka vazhduar me një fjalim ku është shpalosur një shembull se jeta dhe teatri për Lumin ishin një.

Mbesa e tij, Lirika Demiri, para të pranishmëve ka kujtuar që verën e kaluar së bashku me dajën e kishin kaluar në bjeshkët e Rugovës.

“Për të e përditshmja ishte teatër dhe teatri ishte përditshmëri”, ka thënë ajo.

Organizatorët Sabine Böhlau dhe regjisori kurd Hawre Zangana kanë folur për idenë e takimit përkujtues në Münich. Në këtë qytet, Lumi gjatë viteve ’90 u kishte prirë protestave për lirinë e Kosovës. Lumi ishte personalitet i shumëfishtë asokohe. Ishte moderator, organizator, recitues e këngëtar.

Aktori Afrim Kasapolli ka recituar “Engjëlli blu” të shkruar nga Lumi, i cili vdiq më 30 korrik në moshën 51-vjeçare. Tenori Luan Durmishi, i shoqëruar në piano nga Ali Fischer e aktorët Afrim Kasapolli, Bujar Ahmeti dhe Gresa Pallaska kanë sjellë para të pranishmëve disa pjesë të shfaqjeve të Lumit. Nëpërmjet këtij mozaiku, ata i kanë dhënë publikut copëza të krijimtarisë unike të Lumit.

Në emër të teatrit kosovar, për Lumin kanë folur dramaturgët Jeton Neziraj e Arian Krasniqi./Shaban Maxharraj

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)