Kulturë

“Scanderbeg” para publikut në Kosovë vjen si koncert simbolik

Statuja e madhe e Jezu Krishtit në ballë, muzikantët në skenën e improvizuar, dhe një poster gjigant në anën e djathtë – i cili nuk është se shihej mirë për ata që kishin zënë vend në krahun e djathtë – ishte pamja e parë me të cilën u përball publiku që stërmbushi katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Sebep për këtë ngjarje u bë 550-vjetori i vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu. Me këtë rast u performuan nëntë arie dhe tri koncerte që janë pjesë e operës “Scanderbeg” të kompozuar nga Antonio Vivaldi para 300 vjetësh, shkruan sot “Koha Ditore”. I ishte kushtuar pikërisht heroit shqiptar. Ani pse në bileta, posterë e banerë, fjala “opera” bie e para në sy, pos muzikës s’kishte elemente të tjera të saj.

E vetmja shenjë që shpjegonte se nuk do të inskenohej opera ishte fakti se aty shkruante që këto vepra do të interpretohen nga ansambli barok italian “Aurata Fonte”. Megjithëkëtë, s’kanë qenë të pakta ata që kanë pritur të shohin edhe operë.

Ansambli, veçmas violonçelisti shqiptar Perikli Pite, i cili jeton në Itali, ka kontribuuar në organizimin e këtij koncerti. Ai ka hulumtuar dhe ka bashkuar disa pjesë të kësaj opere, që më parë nuk është ditur se ekzistojnë. Megjithatë, opera ende është kompletuar.

Të shtunën mbrëma katedralja u bë nikoqire e rreth një mijë vetave që erdhën për ta përcjellë koncertin. Në mesin e tyre edhe politikanë, ambasadorë e njerëz të artit e të kulturës. Por pasi që katedralja nuk i plotëson kushtet për shkak të akustikës, një koncert i tillë kamertal, e veçanërisht muzika barokene, ishte e vështirë që të përjetohej në tërësi. Më pas problemet me posterin e madh, i cili nuk shihej, jepnin ndjesinë se koncerti i dedikohet Krishtit e jo Skënderbeut. Ka qenë Ipeshkvia e Kosovës ajo që nuk kishte lejuar që statuja të mbulohej. Madje ishte folur edhe për anulim./Sihana Klisurca

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)