Kulturë

“Peizazhet” me ngjyra vjeshte e furtuna historie

Prishtinë, 22 nëntor – Ngjyrat e vjeshtës dominojnë në të gjitha veprat. Herë më të ndezura e herë më të lehta, ato paraqesin pamje të ndryshme. Por peizazhet e Sejdi Kapllanajt nuk janë thjesht ilustrime të natyrës. Lisat dominojnë në shumicën e rasteve. Kanë forma të çrregullta. U kanë mbijetuar furtunave e stuhive të ndryshme. Secili prej tyre bart gjurmët e kohës. Janë dëshmi të kohëve të liga. Figurat njerëzore zënë pak vend në 40 veprat që artisti i ka punuar në dy vjetët e fundit.

Qysh në hapje të ekspozitës “Peizazhet” të martën mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës është bërë e ditur se mesazhi i kësaj ekspozite është një stinë vjeshte që ka histori përmbajtjesore të popullit shqiptar. Është shpjeguar se në shumicën e punimeve është trajtuar lisi dhe furtunat e ndryshme natyrore që e rrahin atë, megjithëse, me fortësinë e tij, qëndron i palëkundur. Në këtë kontekst ekspozita lidhet me rrjedhat historike të popullit shqiptar.

Kuratori Jeton Rexhepi ka thënë se punimet e Kapllanajt i bën të rëndësishme forma lineare e trajtimit të pikturave shumështresore. Sipas tij, shumica e pikturave kalojnë nga stili ekspresionist e abstrakt deri tek arti modern duke i gërshetuar format e duke i lidhur ato.

“Ky është stili i Sejdi Kapllanajt e që do të thosha se mungon një tendencë e ngjyrës së bardhë e cila duhet të përmirësohet”, ka thënë ai. Rexhepi ka shkruar në konceptin kuratorial se në pikturat e Kapllanajt përjetohet një copë Shqipërie.

Piktori Esat Valla ka thënë se për një kohë të gjatë ka përcjellë krijimtarinë e Kapllanajt, i cili, sipas biografisë, ka pasur 25 ekspozita personale nëpër vende të ndryshme.

“Ka pasur fatin të udhëhiqet nga profesori Muslim Mulliqi. Tash po shoh se ka marrë një rrugë të guximshme e domethënëse. Më herët kishte forma gjeometrike”, ka thënë Valla. Sipas tij, peizazhi flet shumë e lidhet me shumë histori/ Shaban Maxharraj

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)