Kulturë

Portreti diplomatik i Kosovës

Foto: Koha / ilustrim

Libri më i ri i ambasadorit Shaban Murati “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës”, është, siç shprehet edhe vetë autori, një portret diplomatik i Kosovës, në të cilin përfshihen etapat nëpër të cilat ka kaluar Kosova që nga viti 1998 e deri në ditët e sotme.

Autori veprën e fillon me kritikën e Platformës së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të bërë publike më 8 maj 1998, në të cilën kërkohej që Kosova të njihej si element konstitutiv i shtetit të mbetur të ish-RSFJ-së, pra R.F. të Jugosllavisë, shkruan sot Koha Ditore.

Ambasadori Shaban Murati, në këtë shkrim, me të drejtë thekson se kjo zgjidhje, të cilën e ofronte Akademia shqiptare, jo vetëm që ishte në kundërshtim me vullnetin e shprehur të qytetarëve të Kosovës në referendumin e vitit 1991 për pavarësi dhe që ishte një rikthim në Kushtetutën e vitit 1974 të një shteti që më nuk ekzistonte, por bëhej edhe në një kohë kur në Kosovë kishte filluar jetësimi i politikës serbe të spastrimit etnik. Largpamësia e autorit, shikuar nga kjo distancë kohore, shihet edhe në analizën që ai u bën deklaratave të shtetarëve amerikanë, në prag të Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë (6 shkurt 1999).

Kështu, ambasadori Shaban Murati, në artikullin “Mesazhi historik i SHBA-ve për Kosovën në prag të Rambujesë”, duke analizuar deklaratën e sekretares amerikane të shtetit, Madeleine Albright, e cila theksonte se ata nuk u kërkojnë “atyre njerëzve të heqin dorë nga ëndrrat e tyre”, nxirrte përfundime dhe këshillonte elitën shqiptare në Kosovë se marrëveshjen trevjeçare të paraparë në këtë konferencë duhet parë si fillim të një procesi diplomatik, i cili do të hapte rrugën drejt zgjidhjes përfundimtare të statusit të Kosovës. Ai gjithashtu do të potenconte se të gjitha propozimet lidhur me Kosovën ishin rezultat i diplomacisë amerikane./ Memli Krasniqi

Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore

Image