Antropologjia si edukim Foto: Driton Paçarada / Koha Ditore

Antropologjia si edukim

16 nëntor 2018 20:10

Nëse dikush pretendon se mund të studiojë pa qenë i ofenduar le të harrojë studimet. Sepse njeriu ofendon edhe veten nga mendimet e tij serioze, lëre më nga mendimet e tjetrit. Ideja e edukimit është pikërisht ideja e marrjes së dijes paraprake, e mishërimit të kureshtjes filozofike që ka krijuar civilizimet tona deri më sot dhe nxitja e kureshtjes për të vazhduar në atë drejtim.

Arsim Canolli

Në botën perëndimore, shkollat dhe universitetet e ashtuquajtura elitare vuajnë nga ideologji e doktrina të ndryshme, secila më rigjide se tjetra. Në një anë kemi ideologjinë e tregut që synon ta shndërrojë institucionin universitar në “tezgë” për punë praktike, e në anën tjetër kemi ideologjinë e korrektësisë politike, që vjen si jehonë e kulturës minore të mohit (e ashtuquajtura teori postmoderne) dhe ideologjinë e drejtësisë sociale radikale që ka kontaminuar universitetin me “aktivizmistikë”.

Ekzistojnë programe të tëra në universitete që mësojnë studentët se si të bëhen aktivistë me parulla në dorë. Të dy këto ide, janë duke e shkatërruar idenë e universitetit, atij vendit ku njeriu shkon të orientohet si të bëhet kureshtar, si të marrë botën në sy e mendje dhe si të edukohet me më të mirën që është thënë e bërë nga civilizimet botërore. Universiteti është shndërruar në punëtori praktike “si të mësosh të bësh një projekt” apo punëtori trushpërlarëse ideologjike “si të mësosh të protestosh kundër…gjithçkafit!”. Madje universitetit i është vënë edhe “zgjedha” e korrektësisë politike e sanksionuar me ligje, statute, rregullore e norma tjera arbitrare censuruese, sa që nuk mund ta ushtrojë as idenë e vet esenciale: lirinë e shprehjes. Së fundi, kemi dëgjuar se si në një universitet në SHBA, paska kaluar një rregullore ku mund të sanksionohet profesori nëse e shikon në sy studentin më shumë se sa disa sekonda, sepse kjo përbëka ngacmim seksual. Në një universitet tjetër ka kaluar rregullorja që nëse profesori nuk ia di përemrin e duhur një personi që pretendon se i përket një kategorie transgjinore (qenkan diku rreth 70 përemra të tillë transgjinorë!) mund të përfundojë në burg, pas gjithë procedurës ligjore. Në një universitet tjetër, profesori është akuzuar për “supremaci të bardhë” sepse ka theksuar se iluminizmi dhe industrializimi kanë sjellë kapitalizmin dhe kapitalizmi ka përmirësuar jetën njerëzore. Pse është akuzuar? Sepse, iluminizmi, industrializmi dhe kapitalizmi paskan përfituar nga kolonializmi i cili është mbajtur nga “skllavëria” e afrikanëve. Pra, gjendja duket jashtëzakonisht alarmante në disa universitete elitare, të cilat për hirë të korrektësisë politike, madje edhe anulojnë ligjërata mysafire nga persona që konsiderohet të rrezikshëm ndaj vellos së korrektësisë politike, nëse vjen ndonjë kërkesë se një grup i caktuar i studentëve do të ofendohet. Thjesht: cenohet fjala e lirë.

Por, a nuk është ideja e studimeve të larta pikërisht ofendimi nga mendimi serioz që tejkalon status quo-në e mendimit të zakonshëm e konformist? Nëse dikush pretendon se mund të studiojë pa qenë i ofenduar le të harrojë studimet. Sepse njeriu ofendon edhe veten nga mendimet e tij serioze, lëre më nga mendimet e tjetrit. Ideja e edukimit është pikërisht ideja e marrjes së dijes paraprake, e mishërimit të kureshtjes filozofike që ka krijuar civilizimet tona deri më sot dhe nxitja e kureshtjes për të vazhduar në atë drejtim. John Dewey, një prej filozofëve pragmatikë amerikanë (ndonëse i njohur si liberal dhe i moderuar), që njihet edhe si edukator, kishte shkuar thellë duke theksuar se dallimi më i madh mes gjërave të gjalla dhe të vdekura është se gjërat e gjalla duan ta ripërtërijnë veten. Pra, ideja e bartjes së asaj që njeriu është dhe ripërtëritjes së asaj që është, ka dhe di është esenciale për njeriun dhe kafshët tjera të gjalla. Bartja është ontologjia e evolucionit sipas selektimit natyror, thekson edhe Darwini.

Por, Tim Ingold-i, një antropolog i mirënjohur britanik, argumenton kundër idesë së bartjes dhe në fakt kjo ide sipas tij “shtrembëron domethënien e edukimit”. Në librin e tij të fundit, “Antropologjia dhe/si edukimi” (Anthropology and/as education, 2018), Ingold-i argumenton këtë qëndrim të tij, i cili në dukje të parë del mjaft radikal, ndonëse kur lexohet në tërësi shihet se është mendim ideal. Fillimisht duhet theksuar se Tim Ingold ka bërë studime antropologjike qe një gjysmë shekulli dhe ka dhënë mësim në fushën e antropologjisë gati po aq gjatë. Studimet e tij doktorale i ka bërë për popullin sami të Finlandës dhe më vonë koncentrohet në fusha e tema tjera të cila synon t’i studiojë përmes një qasjeje fenomenologjike të zgjeruar. Ka shkruar për gjuetinë, pastoralizmin, ekologjinë, zejet dhe mjeshtëritë praktike. Në dekadat e fundit është marrë edhe me kulturën materiale, disenjin, arkitekturën dhe ka shkruar disa monografi, disa prej të cilave prekin idenë e vijave si esenciale në artin dhe mjeshtërinë e jetës praktike njerëzore. Në departamente të ndryshme të antropologjisë quhet edhe me shaka “antropologu i vijave”. Megjithatë, tregimi i tij sa antropologjik aq edhe poetik mbi vijat është motiv për meditimin mbi domethënien e jetës njerëzore.

Pas esesë së tij të famshme, “Prej shkencës te arti dhe prapa: lavjerrësi i një antropologu” (2016), Indold-i duket se ka nisur një konfesion antropologjik, të mishëruar mjaft mirë mes përvojës së tij, punës hulumtuese, mendimit filozofik e antropologjik, peshës së antropologjisë në jetën shoqërore e praktike e së fundi edhe edukimit. Në librin “Antropologjia dhe/si edukimi”, Tim Ingold shpalos idetë e tij në katër kapituj, të bazuar në katër ligjërata të tij. Fillimisht ai guxon të argumentojë kundër idesë së transmetimit të dijes brenda institucionit shkollor. Çfarë mendon me këtë? Ideja kryesore është se dija nuk ka nevojë vetëm për bartje mekanike prej një koke në kokën tjetër, por është komunikim dhe konversacion, raport dhe përbashkësim (ang. commoning), brenda të cilit ndodh edukimi. Dhe, këtu Ingold-i sqaron edhe definimet e Dewey-it, te i cili bazohet mjaft shumë, edhe mendimin e tij “kundër” bartjes dhe komunikimit si ndodh në kohën tonë të virtualitetit të zgjeruar. Pra, Ingold-i është kundër sistemit edukativ që definohet brenda mureve të institucionit shkollor, i cili, sipas tij, nuk është dhe nuk do të duhej të ishte i vetmi sistem i bartjes, komunikimit, mishërimit dhe edukimit. Ingold-i argumenton se pedagogjia e bartjes së informacionit prej kokës në kokë nuk është produktive, sepse gjykimi i saj nuk është rritja e personit por transkriptimi i dijes ekzistuese nëpër koka të ndryshme.

Pastaj, Ingold vazhdon të na thotë se dallimi kryesor mes idesë “me jetu jetën” dhe “me i pri jetës” është te përqendrimi dhe jo te transmetimi. Dhe gjithë përqendrimi në jetë nuk vjen nga transmetimi por nga lëvizja, nga ecja, nga diskutimi. Ingold-i flet për ecjen si një prej dukurive esenciale për themelimin dhe artikulimin e mendimit. Madje duke lexuar Ingold-in, dhe jo vetëm në këtë libër, të krijohet përshtypja se “njeriu ec, prandaj mendon”. Përqendrimin e sheh të lidhur me korrespodencën si marrëdhënie me tjetrin, por edhe me kujdesin dhe mallin e njeriut. Këtu themelojnë këmbëzat e përqendrimit dhe sipas tij përqendrimi i shprehur, mishëruar dhe i komunikuar në këtë formë është edukim. Në esencë, Ingold-i na fton të përqendrohemi te e vërteta dhe urtia dhe jo te pushteti dhe dija. Ai madje e quan “pedagogji e dobët”, pedagogjinë që synon të injektojë dijen si mekanizëm të fuqizimit të intelektit. Ai synon pedagogjinë konversacionale si detyrë ekspozuese, të hapur, të përmallshme, të përgjegjshme ndaj të tjerëve. Dhe, kjo pedagogji bëhet më së miri përmes pedagogjisë së përqëndrimit e jo “pedagogjisë së transmetimit”. Kështu, Ingold-i synon një edukim që niset nga ekspozimi dhe jo indoktrinimi si e quan ai. Ai madje e ndan edukimin në analogji me notat muzikore, kryesore dhe minore. Sipas tij, edukimi që vjen nga tonaliteti minor “ofron lirinë që është reale e jo iluzore dhe na nxjerrë nga strukturat e autoritetit të cilat janë të paqëndrueshme”. Ky mendim i Ingold-it është mendim që duhet të shqyrtohet. A do të thotë se vetëm “edukimi në notë minore”, fokusuar te përqendrimi dhe konversacioni i përmallshëm, na prin drejt gjetjes së udhës përtej strukturave që nuk janë të qëndrueshme? A do të thotë kjo se universitetet e shkollat që duan të transmetojnë dije të përkufizuar nga përmirësimi, shpikja, rivitalizimi, komunikimi dhe përqendrimi duhet të kthehen në institucione që përqafojnë “minoren” apo të refuzojnë “kryesoren”? Po ashtu, sa qëndron argumenti se ajo që bartet apo transmetohet në institucione autoritative të shkollës është krejt “iluzore”? Dhe, a është kjo një ekzagjerim paranoik apo kemi të bëjmë me kanosje reale ndaj lirisë akademike në universitetin perëndimor? Fillimisht duhet theksuar se Ingold-i synon të argumentojë për një gjendje pothuajse ideale të edukimit, ku margjina, minorja, është esenciale për gjithë idenë e edukimit sipas pedagogjisë së konversacionit të hapur, kureshtar, dhe të paindoktrinuar me pedagogji të bartjes së dijes që fuqizon vetëm intelektin dhe ngrit volinë ekonomike. Dhe pa dyshim se edukimi mund të konsiderohet si një konversacion etik që vjen edhe nga jeta sociale, e ndoshta më shumë se sa nga institucioni shkollor. Por, nuk mund të eliminojmë apo ta “nënvlerësojmë” institucionin shkollor vetëm për arsye të kontaminimit të tij, së voni, me ideologjizma të shumtë të cilët e kanë kapluar.

Por, ndonëse Ingold-i është i zhgënjyer me organizimin modern të edukimit, ai nuk synon një nënvlerësim total të sistemit të edukimi. Ai pretendon se sistemi duhet të ndryshojë. Pa dyshim se në propozimet për ndryshime, gjithmonë ka sfida dhe ngrihen pyetje edhe morale edhe ideologjike. Por, Ingold-i, jep një propozim të matur dhe filozofik, jo gulçim kritik të pamatur të tipit të komandantëve të eliminimit të “pabarazisë” (të cilën e konceptojnë pabarazinë vetëm si prodhim të kapitalizmit!) që njeriu dëgjon sot kudo. Në fakt, libri është pikërisht një apologji për edukimin si dhuratë, që “bëhet dhuratë, jo apriori por vetëm kur merret si e tillë”, siç e thekson ai. Ingold-i hyn në konversacion me një mori filozofësh a studiuesish për të paraqitur idenë e tij të edukimit dhe mësimdhënies. Sipas tij mësuesi është dhuratë dhe edukimi ka kuptim vetëm nëse paraqitet dhe merret e kthehet si dhuratë. Sipas tij, “ajo që është esenciale për edukimin është se dikush është i pranishëm – le ta quajmë “mësues” edhe pse ai është i tillë vetëm rastësisht – i cili është i përgatitur të paraqes “mbi tryezë” atë që ka, apo në fakt, atë çfarë është (pasi që në proces studimi, personi dhe prona janë të pandashme)”. Ingold thekson se universitetet sot kanë “pajisje teknologjike për mësim” të cilat vetëm izolojnë studentin ose e shndërrojnë atë në një përthithës të dijes si informatë, jo dijes si urti, kureshtje, konversacion dhe përqendrim. Studenti i tillë nuk ofendohet, sepse nuk komunikon. Ai shndërrohet në një “robot” të vogël që mëson nga SEMS-i. Madje, Ingold thekson se sot nuk kemi edukim por “mësimifikim” (ang. learnification), sepse edukimi universitar, por edhe ai i mesëm madje, është nënshtruar ndaj forcës së tregut. Studenti nuk vjen si fillestar kureshtar që nuk din kah të orientohet në galaksinë e mendimit universitar, por vjen si klient që din saktë çfarë do dhe madje kërkon që ajo që ai do t’i shërbehet në mënyrë sa më të shpejtë dhe efikase. Ai pret të mos lakohet në drejtimin e tij. Profesori është vetëm “shofer” i udhëtimit të tij; thënë ndryshe, profesori shndërrohet në “lehtësues” (ang. facilitator), dhe sipas Ingold-it, roli i të cilit tij "është të jap informacion që nxënësi individual ka kërkuar , në mënyrë të tillë që e bën të lehtë asimilimin dhe tretjen e atij informacioni”.

Konstatimi i Ingold-it për gjendjen e përgjithshme universitare është një pamje goxha e zymtë. Por, kjo pamje nuk vjen prej një aktivisti kryezjarr, por prej një profesori që ka përvojë 50 vjeçare në universitet.

Mirëpo, pyetja mbetet: ku qëndron antropologjia si edukim në këtë pamje? Ingold-i thekson se antropologjia është pjesëmarrje, përqendrim, konversacion, krahasim, korrespodencë, kritikë dhe e hapur. Andaj, modeli i mendimit antropologjik është modeli më i mirë për të arritur te një filozofi e edukimit ku vlerësohen këto kritere. Ingold-i fillon të tregojë se antropologjia nuk ofron zgjidhje finale por udhë nëpër të cilat vazhdohet, antropologjia krahasuese sepse tregon se gjithmonë ka rrugë tjera dhe nuk fetishizon një rrugë. Antropologjia është, po ashtu, dije që na tregon se asnjë filozofi, shkencë apo doktrinë morale është definitive dhe e vetmja të na tregojë të ardhmen, por drejt të ardhmes duhet të vazhdojmë së bashku përmes dialogut. Kur e krahason me edukimin tani, Ingold-i thekson se sistemi i tanishëm i edukimit ka degraduar në “rezultate të pritura” që veçse dihet se çfarë janë. Nuk ka befasi, kureshtje, lakime. Por, antropologjia sipas tij nuk është etnografike, në esencë por edukative. Përmes vrojtimit me pjesëmarrje, antropologu sjellë nga “terreni” përqendrimin e tij me tjerët. Kjo nuk është vetëm teknikë apo metodë apo qasje e antropologjisë, por e të gjithëve.

Në fund, Ingold-i flet edhe për gjendjen e universitetit sot, duke e menduar universitetin në përgjithësi. Sipas tij, kërkesa për hulumtime të dijes ekonomike, për botime në “ranglista”, për zhvillime sektoriale për interes të korporatave janë efekte të vizionit miopik. Për menaxhmentin e sotshëm universitar ai thotë se “vizioni i tyre miopik për edukimin e lartë definohet nga shenjat e vrazhda të ranglistës dhe produktivitetit. Mësimdhënia indeksohet sipas kënaqësisë së studentit dhe punësimit, hulumtimi sipas inovacionit dhe potencialit komercial. Këto kritere s’kanë të bëjnë fare me edukimin demokratik…misioni edukativ i universitetit i trashëguar nga Iluminizmi mbijeton vetëm si emër… institucioni im është tipik: brendi i tij është “iluminimi””. Ai thekson se universitetet duhet të ndryshojnë qasjen e tyre dhe të ridefinohen sepse kanë dalë krejtësisht jashtë kursit të edukimit. Madje, Ingold-i, duke përqafuar një utopi liberale, thërret për universitet të së ardhmes që e quan “multiversitet”. Andaj, edhe fjalia e tij e fundit është “Kjo botë jona është multiversiteti ynë”.

A ka mundësi të kthejmë universitetin te përqendrimi dhe diversiteti akseologjik i ashtuquajtur multiversitet? Sa mund të jetë kredibile analogjia mes antropologjisë si mjeshtëri e konversacionit, dëgjimit dhe krahasimit me edukimin universitar? Vështirë të thuhet. Ingold ka shpresa dhe shpresa duhet të kemi. Ndonëse antropologjia është sulmuar fort me ide radikale (dhe mohuese) si postmodernizmi, feminizmi, relativizmi, postkolonializmi, ajo ka mbijetuar si mjeshtëri e diskutimit për diversitetin kulturor dhe vrojtimit me pjesëmarrje në kontekst të një epistemologjie të përqendrimit, të dhënë mes përshkrimit, kritikës dhe krahasimit. Por, sa mund të rigjallërohet brenda universitetit ajo ideja e universitetit gjeneralist si qendër e kureshtjes akademike, apo atij interesit të painteres, dhe të flaket ideja e universitetit tutorialist, mbetet të shihet.

Universiteti sot vuan nga korrektësia politike, e përkthyer edhe në diktaturë të rregulloreve dhe ligjeve, censurë autoriale, kulturë diskutimi, e politikë hulumtimi. Antropologjia mund ta ngushëllojë universitetin, por vështirë se mund ta shpëtojë, pa e shpëtuar së pari veten nga thikat e “ideve” radikale trushpërlarëse që derivojnë nga “izmat”. E vendet e vogla si Kosova po rrëshqasin në mimetikë të radikalizmit dhe korrektësisë politike pa e vërejtur fare.

(Autori është antropolog, profesor në Universitetin e Prishtinës)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme