Kulturë

Dyshja e “Tape That” lë në Teatër ngjyrat e universit

Prishtinë, 16 nëntor – Pllakat e bulevardit “Nënë Tereza” para shkallëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës kanë ndryshuar. Shiritat me ngjitës janë përdorur për të formuar figura gjeometrike. Më pak vija u janë bërë shkallëve të TKK-së. Krejt kjo është një intro që fton njerëzit të hyjnë në hollin e objektit. Aty i pret një vepër shumëngjyrëshe dhe e veçantë për nga teknika.

Janë dy artistë të kolektivit “Tape That” nga Berlini, të cilët kreativitetin e tyre e kanë sjellë edhe në Prishtinë nëpërmjet formës së artit që njihet si “tape art”. Cedric Goussanou dhe Atau Hamos për dy ditë kanë punuar në hollin e TKK-së. Të enjten mbrëma kanë finalizuar veprën e tyre. Në shikim të parë duket si gjithësia. Por del të jetë një lloj imagjinar i gjithësisë. Kjo, pasi ngjyrat e shumta të shiritave formojnë figura të ndryshme gjeometrike. Në një pllakë prej druri ata kanë krijuar një vepër arti që si teknikë prezantohet për herë të parë para publikut kosovar. “Tape art” rrjedh prej artit të rrugës dhe “shenjat” e para të tij gjëllijnë në vitet ’60 të shekullit të kaluar. Fillimisht qe si një lloj zëvendësimi i spërkatësve që nisën ta aplikonin ata që njihen si artistët të “artit të rrugës”.

I pranishëm në prezantimin e instilacionit, ku bën pjesë edhe një video që shpërfaq punën e kolektivit nga Berlini, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai ka thënë se i vjen mirë që Gjermania ka sjellë në Kosovë një mënyrë të re të të bërit art.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se falënderon artistët që kanë ardhur dhe kanë punuar zellshëm për ta realizuar këtë vepër/Shaban Maxharraj

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

{gallery}