Kulturë

Panairi i Librit në Tiranë fuqizon fushatën për lexim

Në orën 10:00 të së mërkurës janë hapur dyert e Pallatit të Kongreseve në Tiranë dhe kjo ka shënuar edhe hapjen e edicionit të sivjetmë të Panairit të Librit. Qysh në ceremoninë e hapjes është bërë me dije se të rinjtë dhe fëmijët janë fokusi i ngjarjes më të madhe të librit në Shqipëri. Më shumë se 100 shtande janë të mbushura me libra të ndryshëm nga botues të Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës e Malit të Zi. Pos shitjes së librave këtë vit në shtande do të ketë edhe aktivitete, si lexime e promovime librash.

Krejt kjo bëhet në kuadër të fushatës për leximin në Shqipëri. Por industria e librit në Shqipëri nuk qëndron mirë. Këtë e ka treguar kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, edhe në fjalën e tij të hapjes. Sipas tij, tirazhet e librave sivjet janë më të reduktuara. Sa u përket të dhënave të Institutit të Statistikave, se një milion banorë nuk lexojnë asnjë libër në vit, Ymeri ka thënë se bëhet fjalë për një proces që ka ndodhur prej vitesh dhe, sipas tij, duhen gati dy dekada të tjera punë që të ketë ndryshim.

Këtë vit ka rënë edhe numri i titujve të rinj. Ymeri ka thënë se nuk mund të japë shifra të sakta por, sipas tij, janë afërsisht 200 tituj të rinj.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, në ceremoninë e hapjes së Panairit ka thënë se për botuesit nga Kosova, Panairi shërben si mundësi e mirë për takime me lexuesit nga Shqipëria.

“Janë tanimë mbi 25 botues nga Kosova që janë pjesë e Panairit dhe falë bashkëpunimit me Shoqatën, kjo prani ka filluar t'i korrë sukseset e veta”, ka thënë Zeneli në këtë ceremoni.

Botuesit nga Kosova këtë vit prezantohen me rreth 500 tituj në Tiranë.

Zeneli i ka thënë gazetës se në ditën e parë të ekspozitës së librit duket se ka interesim nga lexuesit.

Botimet KOHA, që në Prishtinë përfaqëson shtandin më të vizituar në Panairin e Librit, në Tiranë po ashtu merr pjesë me ofertë të gjerë botimesh. Janë 70 tituj, nga të cilët 25 janë të rinj, të botuar midis dy panaireve të Tiranës.

Dy çmime për autorë, dy çmime për përkthyes, çmimi inkurajues, janë disa prej shpërblimeve që ndan Panairi të shtunën/ Bashkim Shala.

Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”