Kulturë

Hapet në Tiranë ekspozita “Kongresi i Manastirit – Rruga drejt bashkimit kombëtar”

Tiranë,14 nëntor – Në kuadër të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, Muzeu Historik Kombëtar çeli për publikun ekspozitën me titull “Kongresi i Manastirit – Rruga drejt bashkimit kombëtar”.

Ekspozita paraqet rrugëtimin e përpjekjeve të rilindasve për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, midis të tjerash tha se përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm. Rilindësit me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë dasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve.

Ekspozita është e pasuruar me fotografi të delegatëve pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, bashkë me biografitë e shkurtuara të tyre. Gjithashtu, objektet e Luigj Gurakuqit, Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, Hilë Mosit etj., prezantohen nëpër vitrinat përkatëse. Ndërsa librat e gazetat origjinale të kohës janë tepër interesante për publikun.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 22 nëntor 2018.

http://ata.gov.al/2018/11/14/ekspozita-rrugetimi-i-rilindasve-per-alfabetin-e-gjuhes-shqipe/