Prishtinë, 14 nëntor - Para shtatë vjetësh kanë nisur të punojnë në Berlin. U kishte shkuar mendja se shiritat me ngjitës do të mundë të hynin në punë për të krijuar vepra arti deri tek muralet. Muret e ndërtesave ishin hapësirat e para që u mbuluan me ngjyra. Por shpejt kolektivi “Tape That” kishte nisur të zhvendosej nga një vend në tjetrin për të shtrirë kreativitetin e tyre, në atë që njihet si “tape-art”. Këtë javë i ka ardhur radha Kosovës.
Cedric Goussanou dhe Nicolas Lawin të martën kanë nisur punën në hollin e Teatrin Kombëtar të Kosovës. Nëpërmjet shiritave me ngjitës në një pllakë prej druri ata do të krijojnë një vepër arti që si teknikë prezantohet për herë të parë para publikut kosovar.
“Është një teknikë shumë pak e njohur në botë”, ka thënë Cedric Goussanou, derisa kolegu i tij Nicolas Lawin vazhdonte punën. Ka treguar se janë të paktë ata që e ushtrojnë këtë veprimtari në Prishtinë. Shkaku i popullaritetit të vogël që ka teknika, si diçka e re, kolektivi udhëton vazhdimisht. Në veprën që e kanë nisur në Kosovë, u duhet saktësi e madhe. Secili shirit që ngjitet matet me centimetra. Pas ngjitjes fërkohet në mënyrë që t’i nxirret ajri.
“Synojmë që të udhëtojmë në vende të ndryshme të botës dhe t’u japim mundësi njerëzve që ta mësojnë këtë teknikë”, ka thënë Cedric Goussanou/Shaban Maxharraj
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)
{gallery}
-
14 nëntor 2018 12:02
-
Shpërndaje në: