Kulturë

Nesër në Tiranë hapet panairi i librit “Tirana 2018”

Konsideruar si ngjarja më e rëndësishme e vitit, Panairi i 21 i librit “Tirana 2018” çel siparin e aktiviteteve të mërkurën, datë 14 nëntor, me ceremoninë e hapjes së këtij edicioni.

Pas përfundimit të konferencës së çeljes së Panairit nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, do të vizitohen pavijonet e Panairit të Librit.

Edhe programi i aktiviteteve që do të zhvillohen përgjatë pesë ditëve (14-18 nëntor) të Panairit të Librit është bërë publik, e vihet re se çdo ditë është e mbushur me aktivitete në stendat e Shtëpive Botuese.

Një vëmendje e madhe i është kushtuar librit për fëmijë dhe aktiviteteve dedikuar vogëlushëve.

Një ditë më pas, të enjten, 15 nëntor, Shoqata e Botuesve Shqiptarë do të organizojë konferencën “Sfidat e leximit sot! Çfarë lexojnë të rinjtë në Shqipëri?”, në një panel diskutimi me botues, shkrimtarë, përfaqësues të institucioneve të kulturës dhe arsimit, mësues, punonjës të bibliotekave, përkthyes etj., për të shkëmbyer mendime rreth promovimit të leximit dhe edukimit të lexuesve, fëmijë dhe të rinj.

Diskutojnë botuesi Petrit Ymeri për “Sa lexojnë të rinjtë? Motivet për lexim dhe moslexim! Përgjegjësia e botuesit për të sjellë letërsinë më të mirë për fëmijë shqip”, për të vijuar me shkrimtaren Ledia Nushi e cila do të referojë rreth letërsisë origjinale midis të vërtetave, mesazheve edukuese dhe forcës emocionuese. Mimoza Hysa, Piro Misha, Luiza Mustafaj, Adriatike Lami, Rezarta Reso, e Agim Doksani janë emrat e tjerë të cilët do të referojnë lidhur me sfidat e leximit sot. Ditën e shtunë, një ditë përpara përfundimit të Panairit të 21 të librit, do të organizohet edhe ceremonia e ndarjes së çmimeve. (BW)