Kulturë

Fshatrave të Rahovecit po u shkatërrohen shtëpitë e kulturës, kushtuan miliona

Rreth 1 milion euro është vlera e ndërtimit të shtëpisë së kulturës në fshatin Ratkoc, të Komunës së Rahovecit.

Ky objekt i ndërtuar gjatë vitit 2012 është kthyer në gjendje të keqe, si pasojë e mungesës së ndonjë mbikëqyrësi, raporton KTV.

Kryetari i këtij fshati thotë se ky objekt është ndërtuar me material të dobët, sepse ka vetëm 6 vjet prej se është ndërtuar.

Në gjendje më të mirë nuk qëndron as shtëpia e kulturës në fshatin Xërxë, e cila kishte kushtuar rreth 300 mijë euro. Ky objekt u ndërtua gjatë vitit 2015.

Përveç shkatërrimit të shtëpive të kulturës në fshatin Ratkoc dhe Xërxë të Komunës së Rahovecit, edhe në Drenoc ka filluar të demolohet shtëpia e kulturës. Por, përveç gjendjes së keqe në të cilën gjendet ky objekt, ai po qëndron edhe i mbyllur.

Disa banorë të këtij fshati, prapa kamerës, kanë thënë se shtëpia e kulturës në fshatin Drenoc ende nuk është inauguruar dhe se ky objekt hapet vetëm për ndonjë aktivitet të partive politike.

Ndërkaq, shkatërrimin e këtyre objekteve kulturore komuna e Rahovecit e arsyeton me faktin se nuk kanë mundësi që të angazhojnë mirëmbajtës dhe se investim do të ketë në objektin në fshatin Ratkoc, pasi që gjendja është urgjente.

Nuk janë shtëpitë e kulturës të vetmet objekte të shkatërruara. KTV-ja, ditë më parë, raportoi se në komunën e Rahovecit janë dëmtuar rëndë edhe shtëpitë e shëndetit.