Gjarpri e bëri njeriun njeri

Gjarpri e bëri njeriun njeri

09 nëntor 2018 18:57

Pse duhet t’i ruajmë dhe të ruhemi nga gjarpinjtë? Ata janë helmues. Ata janë grabitqarë vdekjeprurës për njeriun. Shumica e njerëzve i frikësohen gjarprit ose frika më e madhe e tyre është ofidiafobia, frika nga gjarpri.

Në kultura të ndryshme, gjarpri ka marrë konotime të shumta; në një anë ai është shenja e së ligës dhe rrezikut, ndërsa në anën tjetër gjarpri është shenjë e shëndetit të mirë, por edhe simbol i urtësisë, pjellorisë, shërimit dhe fuqisë. Te aborigjinët e Australisë “gjarpri ylber” është krijuesi i njeriut. Te shqiptarët njihet “gjarpni i shpisë” i cili ruan shtëpinë dhe të cilin nuk duhet vrarë ose dëmtuar.

Por, pavarësisht simbolikës kulturore, gjarpri është grabitqar i frikshëm dhe vdekjeprurës. Megjithatë, njeriu ia ka parë edhe sherrin edhe hairin. E hairin më shumë. Këtë na e thotë Lynne Isbell, profesore e antropologjisë biologjike dhe primatologjisë me fokus në ekologjinë bihejvioriste të primatëve të lartë. Në fakt, në librin e saj “Fruti, pema dhe gjarpri: pse njeriu ka shikim aq të mirë” [The Fruit, the Tree, and the Serpent: Why We See So Well, 2009], Isbell thekson se shkaku i rrezikut të gjarpërinjve njeriu ka zhvilluar syrin dhe si rezultat i kësaj e ka përmirësuar shikimin.

Pse frikësohemi nga gjarpri? Nga ka lindur kjo frikë? Këtë frikë nuk e kemi vetëm ne, por e kanë edhe primatët tjerë. Isbell na tregon se në një eksperiment që kishte bërë me disa primatë tjerë, si makakenjtë e lindur brenda kopshtit zoologjik, të cilët nuk kishin parë gjarpër më parë, kishte vërejtur se ata kishin reaguar me frikë të madhe ndaj gjarprit, duke na dhënë shenja të manifestuara në sjellje për një vulë të pashlyeshme të frikës së të gjithë primatëve nga ky grabitqar. Në fakt, frika nga gjarpri shkon edhe më herët se 60 milion vite më parë. Prej të gjithë gjitarëve, primatët kanë vizionin më të mirë dhe kjo del nga evidenca molekulare, psikofiziologjia e studimet tjera krahasimtare. Vizioni është një prej shqisave më të lidhura me sistemit nervor. Ka pasur hipoteza të ndryshme rreth shkaqeve të zhvillimit të vizionit të primatëve, por Lynne Isbell na jep hipotezën e fundit duke kombinuar neuroshkencën, psikofiziologjinë, biologjinë evolutive krahasimtare, dhe një mori hullish tjera, me metoda të ndryshme, disa prej të cilave jashtëzakonisht të sofistikuara për të argumentuar se ndër arsyet kryesore, ndoshta arsyeja kryesore, për zhvillimin e të parit të thellë është dallimi i gjarprit në largësi. Gjitarët ishin pre e gjarprit, sidomos primatët dhe duke dashur të mbrohen nga rreziku i tyre zhvilluan shikimin e ngulitur, të thellë dhe të mprehtë të gjërave që lëvizin dhe nuk lëvizin në largësi. Sipas Isbell, prej të gjithë grabitqarëve të primatëve, gjarpri është grabitqari më i vjetër dhe grabitqari më konsistent në formë, ngjyra dhe dukje të përgjithshme.

Megjithatë, në kapituj e librit, Isbell thekson se frutat, lisat dhe gjarpri në kombinim, na kanë bërë kush jemi, sepse prej tyre kemi marrë elemente e duhura kimike. Evidencat që Isbell shtjellon në libër janë jashtëzakonisht specifike dhe të ngjeshura dhe nevojitet koncentrim e njohje paraprake për t’i përcjellë në lexim. Po ashtu, proza e saj vjen e bëhet edhe më e ngjeshur kur gërsheton të dhëna nga neuroshkenca, biologjia molekulare, e shkencat tjera natyrore. Megjithatë, kjo është natyra e shkrimit të këtyre studimeve, jo intenca e autores për të përdorur zhargon disiplinor.

Kur diskuton për arsyet e evoluimit të primatëve, ajo përmend hipotezat e ndryshme të distiluara në studime specifike të fushës, duke i përballur me hipoteza dhe evidenca nga fusha e disiplina tjera. Po ashtu, pra argumentimit për rolin e gjarprit, frutave dhe ekspozimit të primatëve ndaj diellit, si burime të dallimit të tyre në shqisën e të parit, ajo jep evidencë të qartë se si ka evoluar të parit që prej zhvillimit të syrit para 500 milionë viteve e deri në ndarjen e primatëve të fundit. Tutje, ajo shpjegon edhe origjinën e grabitqarëve modernë, vizioni dhe frikën dhe pastaj analizon edhe raportin mes shikimit dhe mbërthimit me duar, si veti e primatëve të lartë. Në një kapitull tregon gjithë arsyet se pse shqiponjat afrikane që gjuajnë gjarprin i kanë sytë më të mëdhenj se shqiponjat afrikane që gjuajnë peshkun.

Argumenti i Isbell-it është argument i ri që refuzon hipotezat tjera, sidomos hipotezën se arsyeja që primatët kanë evoluar me karakteristika të të parit të mirë (të cilat lidhen me mbërthimin e gjësendeve përmes atij të pari) nuk ka të bëjë me ngrënien e insekteve por me ngrënin e frutave dhe njohjen apo dallimin e gjarprit në largësi. Për shembull, ajo thekson se jo të gjithë primatët e kanë zhvilluar mbërthimin apo zgjatjen për të kapur gjërat me orientim vizuel, sepse lemurët për shembull, nuk mund t’i mbërthejnë gjërat sikurse shimpanzetë.

Pra, Isbell kthen sytë tanë te hipoteza e saj se primatët e hershëm, prej të cilëve del njeriu, nuk kanë zhvilluar shikimin vetëm për faktin se ishin vetë grabitqarë, por për faktin se ishin pre e gjarpërinjve, grabitqarëve të tyre më të rrezikshëm dhe më të fshehtë. Madje, edhe variantet e ndryshme të shikimit te primatët kanë të bëjnë me ekspozimin e tyre ndaj gjarpërinjve helmues.

Në një paragraf, Isbell thekson: “Pse duhet ta njohim efektin e fuqishëm të gjarpërinjve te primatët? Sepse ata kanë histori shumë më të gjatë se sa tipat e grabitqarëve të tjerë. Është e vërtetë se ata nuk kanë nevojë të ushqehen aq shpesh sa grabitqarët tjerë, por kanë dendësi më të madhe të popullatës. E ndonëse tani gjarpërinjtë helmues nuk hanë primatë, në aspektin evolutiv kjo s’ka rëndësi kjo. Si primati i ngrënë, si primati i kafshuar, është po aq i vdekur.” (fq. 111).

Isbell bën një rikonstruktim jashtëzakonisht të thuktë me evidenca dhe të analizuar me logjikë të hollë në ballafaqim me trajektoren evolutive. Argumenti i saj është specifik, por esencial në përcaktimin e pyetjes se çfarë e bëri njeriun njeri. Pas gjithë hulumtimeve në fushën e primatologjisë dhe biologjisë evolutive, Isbell na thotë se ndër të tjera, ajo që e ka bërë njeriun njeri është frika nga gjarpri. E argumenti i saj është i endur në sitën më të dendur multidisiplinare shkencore, që dikush ka bërë në këtë drejtim. Ajo është primatologe dhe antropologe që studion primatët si gjitarë, gjithnjë në kontekst të komunitetit të përbashkët ekologjik krahas atij evolutiv. Hulumtimet e saj e kanë dërguar në Uganda, Keni, Madagaskar, Tanzania, Kongo, etj.

Pos tjerash, libri i saj na kujton se njeriu gjithmonë jeton me frikën e gjarprit dhe kjo frikë gjithmonë ia ka hapur sytë dhe duhet t’ia hapë sytë prapë.

(Arsim Canolli, është antropolog e profesor universitar)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme