Teatrin Kombëtar e pret edhe një dimër i shtrenjtë

Teatrin Kombëtar e pret edhe një dimër i shtrenjtë

09 nëntor 2018 10:05

Prishtinë, 9 nëntor – Teatrit Kombëtar të Kosovës gjashtë dimrit i duhet të shesë së paku 80 bileta në ditë nga 3 euro që t’i mbulojë vetëm shpenzimet e ngrohjes. Sipas çmimit me të cilin furnizohet me naftë i bie që TKK-ja të shpenzojë rreth 237 euro në ditë për ngrohje apo 208 litra naftë. Sipas faturave të fundit, MKRS-ja ka paguar 1 euro e 14 centë për një litër naftë për TKK-në.

Nga vjeshta e vitit 2016 deri në pranverën e vitit 2017, Teatri Kombëtar i Kosovës është furnizuar nëntë herë me naftë për ngrohje. Janë shpenzuar 34 mijë e 552 litra naftë gjatë atij dimri. Dimrin e kaluar, sipas faturave të furnizimit, institucioni më i lartë teatror në Kosovë ka shpenzuar 28 mijë e 97 litra naftë. Objekti që shfrytëzohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Baleti Kombëtar i Kosovës vazhdimisht e përdor naftën si lëndë djegëse për ngrohje. Pos vlerave të larta financiare që shpenzohen për këtë çështje, këto institucione nuk është se bëhen rehat. Mesatarisht TKK-ja shpenzon 30 mijë litra naftë për një sezon të ngrohjes, që me çmimin aktual i bie 34 mijë e 200 euro. Më 2016, buxheti total i TKK-së ka qenë 340 mijë euro, përderisa më 2017, 370 mijë euro. Kësisoj, i bie që TKK-ja të shpenzojë për ngrohje gati sa 10 për qind e buxhetit.

Disa herë gjatë dimrit të kaluar janë detyruar t’i anulojnë shfaqjet e provat sherri i motit të ftohtë e mungesës së ngrohjes. Varësisht nga alokimi i buxhetit, MKRS-ja disa herë ua ka vonuar mjetet e pagesës kompanive që i shesin TKK-së naftë. Si pasojë furnizimi nuk është bërë.

Për ta zgjidhur këtë çështje, TKK-ja ia ka mësyrë që të lidhet me ngrohtoren e qytetit, “Termokos”. Për këtë TKK-ja ka bërë disa shkresa. Por ende nuk ka ndonjë rezultat konkret/ Shaban Maxharraj

(gjerësisht, sot në “Kohën “Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme