Kulturë

Duoja “Ariadita” impresionon publikun vjenez

Descriptive Text

Prishtinë, 9 nëntor – Salla prestigjioze e Vjenës të mërkurën mbrëma mirëpriti një numër të madh të publikut, i cili u mblodh për të dëgjuar koncertin e pianistes së njohur kosovare Ardita Statovci bashkë me pianisten austriake Ariane Haering.

Mes duartrokitjesh të shumta, siç shihet atmosfera në disa video, dhe përgjegjësisë që krijon te muzikanti interpretimi në një sallë si ajo e “Wiener Musikverein”, e cila ka traditë gati 150-vjeçare, duoja “Ariadita” dha një koncert kulmor. Pianistja Statovci ka qenë e ftuar si soliste mysafire e ansamblit “Alban Berg Ensemble Wien”, i themeluar në vitin 2016, dhe përbëhet nga Sebastian Gürtler në violinë, Régis Bringolf, po ashtu violinë, Subin Lee në violë, Florian Berner në violençel, Silvia Careddu në flaut e Alexander Neubauer në klarinetë.

Statovci ka thënë se publiku austriak e ka mirëpritur interpretimin e dyshes duke i vlerësuar lartë.

“Ndihem e lumtur që ishte një mbrëmje tejet e bukur e që ngjalli emocione të mëdha tek publiku vjenez”, ka thënë Statovci. Për të, ky koncert pati një rëndësi të madhe edhe për faktin se është ngjitur në skenën e një prej institucioneve më të njohura jo vetëm në Austri, por edhe në rrafshin ndërkombëtar.

“Vetë ambienti inspirues, salla e mrekullueshme japin një ndjesi të veçantë. Si mysafire soliste e ftuar nga Ansambli Alban Berg, së bashku me kolegen time Ariane Haering nga duoja pianistike ‘Ariadita’ pata kënaqësinë për të interpretuar vepra për dy piano dhe ansambël ose orkestër kamertale”, ka thënë ajo.

Statovci bashkë me Haering kanë interpretuar një vepër nga Robert Schummanit për dy piano, violonçel dhe korno, si dhe një nga veprat më të popullarizuara të literaturës muzikore, “Karnavali i shtazëve” nga Camille Saint-Sawns. Pikërisht kjo e fundit, sipas saj, ka qenë kulmi i mbrëmjes/ Sihana Klisurica.

(gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)