Kulturë

“Martesa” në fushatë për “Oscar” me dy shfaqje në Los Angeles

Prishtinë, 8 nëntor − “Martesa”, propozimi i Kosovës për “Oscar”, do të shfaqet dy herë në Los Angeles, në kuadër të fushatës promovuese për çmimin prestigjioz. Filmi me regji të Blerta Zeqirit, bashkëfinancuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës, do të shfaqet atje më 9 dhe 17 nëntor për t’iu dhënë rast anëtarëve të Akademisë prestigjioze ta shohin propozimin e Kosovës.

Qendra Kinematografike e Kosovës në shtator bëri të ditur se do të koordinohet me distributorin amerikan “Uncork’d Entertainment” për ta realizuar fushatën promovuese të filmit “Martesa”.

Shfaqja e “Martesës” në Los Angeles bëhet nga “European Film Production” që synon t’i theksojë produksionet evropiane mes 87 filmave që konkurrojnë për t’u nominuar për “Oscar” për filmin më të mirë në gjuhë të huaj.

Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë se një ekip nga Kosova do të jetë prezent në shfaqjen e “Martesës” në Los Angeles.

“Do të jemi aty unë, producenti Kreshnik Kekë Berisha dhe regjisorja Blerta Zeqiri. Gjithashtu edhe dy regjisore, More Raça e Lendita Zeqiraj, me filma të shkurtër”, ka thënë Zharku.

Filmi “Ajo” i Raçës do të shfaqet në kuadër të festivalit të njohur amerikan “AFI Festival”, derisa “Gardhi” i Zeqirajt nuk do të ketë shfaqje. Përveç filmit të Blerta Zeqirit, edhe projekte filmike të Lendita Zeqiraj e More Raça janë kualifikuar për nominim për edicionin e 91-të të ndarjes së çmimeve të akademisë prestigjioze “Oscars”/E. Berisha

(gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)