Kulturë

Gashi prezantoi të arriturat e MKRS-së para komisionit parlamentar

Descriptive Text

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka raportuar para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sport, Inovacion dhe Ndërmarrësi, për periudhën janar-tetor 2018.

Gashi tha se Ministria, përmes mekanizmave institucional e ligjor ka vazhduar me përmbushjen e objektivave të përcaktuara në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit duke krijuar mjedis mbështetës institucional për zhvillimin bashkëkohor të këtyre fushave, duke e promovuar identitetin kulturor, sportiv dhe rininë e Kosovës brenda dhe jashtë vendit.

“Në fushën e kulturës janë realizuar premiera të shfaqjeve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Baletit Kombëtar, janë mbajtur koncerte artistike të Filarmonisë, të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve ‘Shota’, ekspozita të Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe të Galerisë së Ministrisë së Kulturës”, tha Gashi.

Ai po ashtu theksoi se “është rritur buxheti për Qendrën Kinematografike të Kosovës për mbështetjen e projekteve filmike nga 800 mijë euro në vitin 2017 në 1.4 milionë në vitin 2018, është përmirësuar infrastruktura ligjore në fushën e kulturës e më konkretisht aprovuar Rregullorja për Pagat dhe Gradat e Krijueseve, Performuesve dhe Punonjësve të Trashëgimisë Kulturore, me të cilën janë rritur pagat e këtyre kategorive 50%, është miratuar Rregullorja për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponzorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit me të cilën është zbatuar Ligji për sponzorizime në këto fusha, duke përmendur edhe pjesëmarrjen e suksesshme të Kosovës në festivale të ndryshme ndërkombëtare”.

“Një e arritur e veçantë dhe historike në sektorin kulturor dhe atë kreativ është nënshkrimi i Marrëveshjes mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian për qasje në kuadër të programit evropian Evropa Kreative. Si dhe është aprovuar ligji për ratifikimin e kësaj marrëveshje. Nexhmije Pagarusha ka marrë statusin për merita të veçanta në fushën e muzikës dhe i është ndarë shuma prej 500 euro në baza mujore”, theksoi ministri Gashi.

Në fushën e trashëgimisë ministri Gashi përmendi themelimin e Inspektorat të Trashëgimisë Kulturore dhe miratimin e Listës së Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje te Përkohshme.

“Është në hartim e sipër Projektligji për Trashëgimi Kulturore, është përfunduar Udhëzimi për Shenjëzimin e Trashëgimisë Kulturore dhe 4 Plane te Menaxhimit për asetet e mbrojtura. Në kuadrin e kërkimeve dhe hulumtimeve arkeologjike janë realizuar dhe janë në zbatim këto projekte: Parku arkeologjik ‘Ulpiana’, Kalaja e Prizrenit, Kështjella e Harilaqit, Kalaja e Novobërdës, Kalaja e Dardanes, Kalaja e Keqekollës, Lokaliteti arkeologjik i Dersnikut dhe Kalaja e Marecit”, tha Gashi.

Ai po ashtu raportoi se është nënshkruar memorandumi i bashkëpunimit me organizatën e “Integra” për monografinë e Nexhmie Pagarushës dhe në kuadër të promovimit janë hapur ekspozita të ndryshme dhe janë ndarë çmime ne fushën e Trashëgimisë Kulturore.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në fushën e rinisë ka vazhduar me avancimin e kornizës ligjore, është në përfundim e sipër strategjia për Rinisë 2018-2023, si dhe Ligji për Rininë. Në kuadër të mbështetjes së organizatave rinore janë mbështetur 134 projekte të organizatave rinore”, u shpreh ministri Gashi.

Ai po ashtu tha se e arritur e veçantë në fushën e rinisë është krijimi i Fondit Rinor sikurse dhe mbështetja financiare për ndërtimin e Qendrës së edukimit jo-formal për rini me lokacion në fshatin Pjetërshan në Komunën e Gjakovës dhe janë ndërtuar objektet e qendrave rinore në Pejë dhe Vushtrri.

Ndërkaq për sa i përket fushë së sportit, ministri Gashi tha se janë ndërmarrë hapa për rregullimin e fushave te rëndësishme ligjore ne sport dhe janë nxjerrje aktet nënligjore sipas planit të paraparë, sikurse miratimi i Rregullores për Kategorizimin e Sportistëve dhe të Trajnerëve, Rregullores për Kategorizimin e Sporteve, Rregullores për përcaktimin e kritereve, procedurave dhe formës për vërtetimin e sponzorizimit në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, Rregullores për organizimin, funksionimin, detyrat dhe përgjegjësitë e Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative si dhe është duke u punuar në Ligjin e ri dhe Strategjinë e Sportit

“Gjithashtu e arritur e veçantë është edhe themelimi Këshilli Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative”, theksoi Gashi.

Përveç tjerash, ai tha se: “Është mbështetur financiarisht Komiteti Olimpik i Kosovës, Federatat Sportive, si dhe organizatat tjera sportive”.

Ministri Kujtim Gashi raportoi edhe për fushën e të drejtave të autorit, duke thënë se: “Është bërë trajnimi i grupeve të ndryshme të interesit, përfshirë gjyqtarët, prokurorët, policët, ndërmjetësit për të drejtën e autori dhe avokatët. Ka vazhduar koordinimi i veprimeve kundër Piraterisë që kanë rezultuar me sekuestrimin e 1670 kopjeve të materialeve pirate, për herë të parë në Kosovë janë nënshkruar tarifat për shfrytëzimin e muzikës nga ana e transmetuesve radio-televiziv, nga të cilat tarifa autorët dhe krijuesit do të sigurojnë të kompensohen dhe sigurojnë të ardhura”.

Në fund ministri Gashi tha se sfidat që mbeten për të ardhmen janë bllokimi i llogarive rrjedhëse të institucioneve të kulturës dhe trashëgimisë kulturore, mungesa e nënkodeve për institucionet vartëse dhe buxheti i vogël i MKRS-së.