Kulturë

Tom Kuka, autori misterioz i romant “Gurët e vetmisë” për masakrën e Çamërisë

Një e folme çame, mes shqipes më të hershme se e ditëve tona e prapë shqipe e ëmbël, të zë pritë që në faqen e parë të romanit.

Aty gjenden papui e myhezini, aty është nënë Zisja që i ka shkuar jeta dëm, aty janë kujtimet për Avdylin që doli nga shtëpia i veshur dhëndër e u kthye në qivur, aty është Paramithia dhe një takim ku burrat priten në besë, edhe pse një ditë qenë ulur, patën pirë e kënduar, duke u mburrur se kush e kërcente më mirë Osman Takën.

Aty janë legjendat, por është edhe historia që na kërkojnë ta harrojmë për hir të integrimit e fqinjësisë së mirë, është gjaku i patharë dhe një fushë e madhe ku prehen të ikurit, ndanë lumit prej ku u dëgjohen ende zërat. Ky është një roman për dashurinë, për luftën, për lirinë, për familjen, për shpirtrat e humbur e të mbetur në mesrruge, për të tradhtuarit që u sakrifikuan në emër të kujt, në fakt? Aty është e shkuara jonë, e gjyshërve që na e kanë treguar si përrallë, na e vunë në nënkresë në vend të princërve e princeshave, sepse ne patëm vetëm një mbretëri, atë të luftës dhe s’patëm kohë të mësojmë për dashurinë. Është rrëfimi i një dhimbjeje ku ndërthuren dy kohë, është një ankth që përçohet, në netët e vona ku fletë pas flete, kalon jetën e nënë Zises.

“Gurët e vetmisë”, është romani i dytë i autorit që shkruan me pseudonimin Tom Kuka. Romani i tij i parë, “Hide mbi kalldrëm”, u botua në nëntor 2017, po nga Botime Pegi. Ngjarjet vendosen në një vend diku mes kufijsh dhe mandej shfaqen një grusht njerëzish që përpiqen të ndërtojnë jetën dhe të ardhmen e tyre, aty ku kanë pasur rrënjët e të parëve, nën hijen e së shkuarës, duke u ruajtur nga pabesia e armikut. Shënimi i botuesit vëren se e shkuara, e sotmja dhe e ardhmja gërshetohen dhe rrjedhin lirshëm nga njëra te tjetra si të ishin enë komunikuese, retrospektiva dhe kujtimet herë pas here bëhen njësh, dhe vetë personazhet gjenden në një kohë të pakohë. Por, boshti i romanit përsillet rreth masakrës së Paramithisë, ku 72 burra, bujarë të dyerve më të mëdha çame u thirrën nga mitropoliti grek me pretekstin për të vendosur paqen mes palëve, por u prenë në besë dhe u vranë të gjithë në përroin e Selanit. “Atje do të na presin në besë. Plot 72 burra. Besuam te dega e ullirit dhe zërat e butë, por do na e ngulën thikën pas shpine. Do i lëmë shtëpitë pa tra e gratë me kërthi në bark. Duan që të shkulemi, por ne nuk kemi si dëgjojmë nga ai vesh, prandaj do na therin si bagëti. Ne shkuam që të piqeshim në Paramithi e të gjenim fjalën, por nuk donin as ta lëshonim fjalën, se na e prenë gurmazin me brisk. Kjo do të ndodhë, kur bari yt të jetë lartuar sa një bojë njeriu, por fara jote do të lulëzojë, kur të puqet me farën time”,-shkruan autori në vepër.

Shpirtrat e tyre, të ngecur mes dy botësh, nuk gjejnë paqe dhe përsillen mbi një barkë në lumë, si Karonti që shpinte të vdekurit në Had. Avduli fantazmë kërkon të paralajmërojë jo vetëm të birin, në të ardhmen, por edhe Feritin, në të shkuarën për mynxyrën e madhe që po gatitet.

Oguret e zeza që përshkojnë kohërat duan t’i nxitin njerëzit të lënë laçkë e plaçkë e të ikin, të shpëtojnë kokën. Armiku kërkon jo vetëm kamjen e tyre, por të ndërrojnë gjuhë e emër, të asimilohen krejtësisht, derisa t’u shuhet fara. Shënimi i shtëpisë botuese vë në dukje se autori përçon jetën e përditshme të fshatit, të ndarë vetëm teorikisht mes kaurësh dhe muhamedanësh, shoqëruar gjithnjë me nota humori, të shkaktuara hera-herës nga frika e së resë dhe padituria si në rastin e biçikletës; ka sjellë dhembjen e dashurisë që lëshon shigjeta reale sa ta bën trupin gjak, erosin që ta humbet mendjen deri në delire. Kjo është një përrallë nga e kaluara, me djem gjaknxehtë e vajza lozonjare, me valle ndjellëse e shtjella kumtesh, që nxijnë lulet e lotojnë gjak. Këtu nuk ka prijës të shquar e fjalëmëdhenj, por ka vetëm njerëz shpirtmirë: qejflinj, sedërlinj e besëplotë, që ngulmojnë për paqe. Historia e tyre plekset me mite e legjenda, të cilat jo vetëm janë pjesë e një përditshmërie të shtruar e të thjeshtë, por janë pjesë e thelbit të këtij populli të vogël e të harruar. Këta njerëz me rrënjë të thella, të ndërthurura në gëzime e hidhërime të moçme, jetojnë të zhytur në një fatalizëm që është njëherazi shpëtimtari dhe përndjekësi i tyre më i ashpër. Romani nuk ka stërhollime, gjykime e as leksione, por vetëm kujtime dhe mall. Kjo është një rrëfenjë epike për atë që ka ndodhur vërtet një shekull më parë në tokat shqiptare. E, megjithatë, kjo mund të ishte historia e shumë të tjerëve, e çdo kombi të nëpërkëmbur, të tradhtuar e të braktisur. Ngjarjet që rrëfehen këtu kanë ndodhur dje, por mund të ndodhin edhe sot (F. Nikolli, Gazeta Shqiptare)