Kulturë

Çmimi “Sakharov” për regjisorin e burgosur ukrainas

Strasburg, 26 tetor – Parlamenti Evropian ia ka ndarë çmimin prestigjioz “Sakharov” regjisorit të burgosur ukrainas Oleg Sentsov. Ai është nderuar për “kontributin e çmueshëm në luftën për të drejtat e njeriut në botë”, ka njoftuar Parlamenti Evropian me seli në Strasburg.

“Me guximin dhe vendosmërinë e tij, duke vënë në rrezik edhe jetën e tij, kineasti Oleg Sentsov është bërë simbol i luftës për lirimin e të burgosurve politikë që mbahen në Rusi dhe në gjithë botën”, ka thënë presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, raportojnë mediat botërore. Sipas tij, duke ia dhënë çmimin këtij regjisori “Parlamenti Evropian shpreh solidaritetin e tij me të dhe me kauzën e tij”. U ka bërë thirrje autoriteteve ruse që ta lirojnë Sentsovin menjëherë, duke nënvizuar se gjendja e tij shëndetësore është e keqe.

Sentsov kohë më parë kishte thënë se e ndërpret grevën e urisë duke theksuar se një vendim të tillë e ka marrë për të mos u përballur me të ushqyerit me zor. Ka katër muaj që ka hyrë në grevë dhe për këtë është mobilizuar i gjithë opinioni ndërkombëtar duke kërkuar lirimin e tij. Regjisori me prejardhje nga gadishulli i Detit të Zi, Krimea, të aneksuar nga Rusia në maj të vitit 2014, u dënua në gusht të vitit 2015 me 20 vjet burgim. U akuzua për terrorizëm dhe tregti me armë (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).