Kulturë

Klerikë e prijës shqiptarë më 1759 kërkonin ndihmë nga Rusia

Prishtinë, 26 tetor – Ndikimi i Rusisë në Ballkan është një prej çështjeve më të diskutuara sa i përket gjeopolitikës rajonale. Në shumë ngjarje që ndodhin në Evropën Perëndimore, gjithmonë dyshohet se mund të jetë e përfshirë edhe Rusia. Trupat ruse kishin hyrë në Kosovë në qershor të vitit 1999 pa dijeninë e forcave të NATO-s.

Por para disa shekujsh Rusia shihej si mundësi që do të çlironte territoret shqiptare. E tillë, për një periudhë, ajo reflektonte sidomos tek shqiptarët ortodoksë, por edhe tek ata katolikë. Madje Perandorisë ruse, shqiptarët edhe i kishin kërkuar ndihmë.

Një kronologji të marrëdhënieve të shqiptarëve me rusët e ka shpalosur historiani Pëllumb Xhufi në tryezën shkencore “Sfidat e nacionalizmit shqiptar nga Lidhja e Prizrenit e deri më ditët e sotme” që është mbajtur të enjten në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Në këtë Tryezë shtatë historianë nga Shqipëria e Kosova kanë shpalosur hulumtimet e tyre sa i përket historisë shqiptare që prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në ditët e sotme.

Xhufi ka thënë se historikisht Rusia kishte për qëllim që territoret shqiptarë t’ua dorëzonte sllavëve të Ballkanit. Ka thënë se raporti i tensionuar midis Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe Rusisë arriti edhe kulmet si viti 1903 kur me atentate u vranë konsulli rus në Mitrovicë dhe ai në Manastir.

Historiania Sabile Keçmezi-Basha nëpërmjet kumtesës “Karakteri kombëtar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit (1943)”, ka shpalosur historinë e themelimit të një organizate që kishte për qëllim bashkimin e trojeve shqiptare dhe mbrojtjen e tyre.

Historiani Armend Mehmeti nëpërmjet kumtesës “Reagimi britanik ndaj interesimit të shtetit shqiptar për shqiptarët në Jugosllavi gjatë viteve 1919-1939”, ka paraqitur një kronologji të marrëdhënieve shqiptaro-britanike brenda harkut kohor prej 20 vjetësh.

Në këtë tryezë shkencore ka referuar edhe Nehat Krasniqi me kumtesën “Reformat shtetërore osmane dhe nacionalizmi shqiptar në gjysmën e parë të shekullit XIX”, Ledia Dushku me kumtesën “Ismail Qemal Vlora dhe promemoria dërguar Riciotto Garibaldit më 1903”, Sonila Boçi me kumtesën “Çështja shqiptare në diskursin politik shqiptar të viteve 1942-1945” e Lulzim Mjeku me kumtesën “Identiteti kombëtar shqiptar si proces kulture, si identitet i gjuhës dhe idesë”./Sh. Maxharraj

(gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)