Kulturë

Psherëtimat e Bob Dylanit

Descriptive Text

Studio-albumi i tridhjetetetë zyrtar i Bob Dylanit është seti i tij i parë i trefishtë i një karriere të jashtëzakonshme që e ka shtrirë mundësinë e gjuhës dhe të muzikës aq gjerësisht, saqë ai është shpërblyer me çmim “Nobel” për letërsi.

Sidoqoftë, para se të entuziazmohemi shumë me këtë fakt, duhet ta dimë se albumi i tij me titull “Triplicate” përbëhet nga tri disqe, tridhjetë këngë dhe 95 minuta të një burri 75-vjeçar që pëshpërit në mënyrën e tij, nëpërmjet versioneve të përpunuara të melodive të mirëfillta të periudhës së jazzit, me sa duket të mbetura nga albumet e tij të mëhershme që kishin qenë të influencuara nga sesionet e Frank Sinatras, shkruan “The Telegraph”, transmeton “Koha Ditore”. Ky nuk është album të cilit i mungon guximi.

Në pjesën e parë të këtyre përmbledhjeve, “Shadows in the night” të vitit 2015, të sjellë me një fuqi gati se mistike, zëri i çjerrë e antik i Dylanit, përçon një frymë të trishtueshme të melankolisë, nga këngët që kanë të bëjnë me kujtesën dhe pendimin. Sidoqoftë, përpunimi tjetër “Fallen Angels” i vitit 2016, është më i gjallëruar dhe i bollshëm. Duke u lëkundur nëpërmjet “Young At Heart”, më tepër krijohet përshtypja për një Bob të vjetër që zhytet në pavdekshmëri.

Kur e takova menaxherin e Dylanit në prapaskenë, e pyeta atë se përse Dylani është marrë me realizimin e këtyre incizimeve. “Kush e di”, tha burri që ka punuar me Dylanin më afër sesa kushdo tjetër. “Bob është një mister. Por ai ka fituar të drejtën që të bëjë çfarëdo që dëshiron”, ka shtuar ai. E fatkeqësisht ajo që Dylani dëshiron nuk është e njëjta gjë që adhuruesit e tij e duan.

Në vitet e fundit, kemi parë ekspozita që elaborojnë portat e tij të hekurta dhe pikturat impresioniste të punuara në vaj. Ajo që ne ende presim janë këngë të reja nga kantautori mbase më i madh i kohës sonë. Mendoj që është e drejtë të thuhet se albumi i tij “Triplicate” është më tepër një akt vetëkënaqësie.

Nëse do të qëlloje të ishe në dhomën ku interpretohen këngët e këtij albumi, mbase do ta pyesje veten sesi dikush ka mundur ta lejojë që një këngëtar i vjetër të gurgullojë kësisoj nëpërmjet melodive kaq të bukura.

I tërhequr nga interpretimi shumë i ndjeshëm i bendit shoqërues “Americana” të Dylanit, në elemente që nuk ngjasojnë aspak me klishetë e bendeve të mëdha, ju do të mund ta gjenit veten të zhytur në ritmin e veçantë të Dylanit, të rrethuar nga një disponim delikat dhe të dëgjoni vërtet këto këngë të vjetra të ringjalla në një mënyrë të mrekullueshme... (më gjerësisht lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.