Rrënimi i shtëpisë së shekullit XIX në Prizren përplas institucionet

Rrënimi i shtëpisë së shekullit XIX në Prizren përplas institucionet

19 tetor 2018 09:14

Prizren, 19 tetor – Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, të enjten, përmes një reagimi ka vlerësuar se gjatë rrënimit të shtëpisë së familjes Bylbyli në rrugën “Bajrakli” ka pasur shkelje ligjore. Njëkohësisht kjo qendër ka kërkuar që të ndërmerren masa ligjore nga organet kompetente ndaj shkelësve të ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Trashëgiminë Kulturore.

Sipas QRTK-së, çdo ndërhyrje brenda zonës së mbrojtur duhet të ketë miratimin paraprak nga kjo Qendër dhe se në rastin konkret ky institucion nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare përmes procedurave ligjore për rrënimin ose çfarëdo ndërhyrjeje tjetër në shtëpinë e shekullit XIX.

Mirëpo përmbajtja e plotë e reagimit të QRTK-së nga Komuna e Prizrenit është vlerësuar si kontradiktore dhe e paqëndrueshme pasi, sipas ekzekutivit lokal, edhe zyrtarët e QRTK-së kanë qenë pjesë e vendimmarrjes së përbashkët rreth kësaj ndërtese.

Kabineti i kryetarit të Komunës së Prizrenit ka bërë të ditur se leja për rrënimin e shtëpisë së familjes Bylbyli është lëshuar nga organet komunale, pasi që Komisioni për vlerësimin e rrezikshmërisë që paraqesin objektet e banimit në zonën historike të Prizrenit në përbërje të të cilit kanë qenë edhe zyrtarët e QRTK-së dhe KTK-së, ka marrë vendim se kjo shtëpi paraqet rrezik për kalimtarët dhe banorët përreth, dhe se e njëjta duhet të rrënohet pasi e vetmja vlerë që mund ta ketë është vlera ambientale.

“Prandaj reagimin e QRTK-së e vlerësojmë si kontradiktor dhe të paqëndrueshëm. Qëllimi i vetëm i këtij reagimi është që të shkaktohet huti në opinion, se gjoja gjërat janë duke vazhduar njëjtë si gjatë qeverisjes së kaluar”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme