Kulturë

Énard në Prishtinë zbërthen historinë e personazhit të tij

Prishtinë, 18 tetor − Një roman duhet të jetë zëri i asaj që ndodh në kohën e tij, thotë Mathias Énard, shkrimtari francez me nam botëror, specialist i gjuhëve e kulturave orientale.

Pesë vepra të romancierit me nam botëror tashmë flasin shqip. Fituesi i çmimit prestigjioz letrar francez “Goncourt” për vitin 2015 i ka rrëfyer vetë në kryeqytet prapaskenat e finalizimit të veprave të tij. Ka folur për jetën midis Perëndimit e Lindjes, për gjendjen e poezisë në një kohë kur romani ndodhet në qendër të kompleksit letrar, për lidhjen e tij me Kosovën dhe personazhin nga Prishtina të një prej librave të tij.

Gjatë 48 orëve në kryeqytet, Énard është takuar me lexues e studentë. Vizita e tij u hap me një prezantim në ambiente të Aleancës Franceze në Prishtinë, mbrëmjen e së martës. Gjatë ditës së mërkurë ka ndarë eksperiencat e tij me studentët e Degës së Frëngjishtes në Universitetin e Prishtinës dhe është takuar me nxënës të shkollave të mesme në amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare.

Mathias Énard u lind më 1972 në Niort të Francës. Ka studiuar persishten e arabishten. Për një kohë të gjatë kishte eksploruar Lindjen e Mesme. Tash jeton në Barcelonë ku ligjëron arabishten. Veprat e tij janë përkthyer në gjuhë të ndryshme. Në shqip “Buzuku” ka sjellë “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët”, “Busulla”, “Zona”, “Përsosmëria e qitjes” dhe “Rruga e vjedhësve”. Para studentëve kosovarë ka thënë se gjithmonë ka dashur të vinte në Kosovë (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).