Kulturë

Shkrimtari francez Mathias Enard vjen në Prishtinë, nderohet me “Çelësin e Qytetit”

Ambasada e Francës në Kosovë, në bashkëpunim me Aleancën Franceze të Prishtinës, në kuadër të veprimtarisë së tyre në fushën edukimit dhe librit, me 16 dhe 17 tetor sjellin në Kosovë shkrimtarin dhe përkthyesin e njohur nga Franca, Mathias Enard, njofton Ambasada Franceze në Kosovë.

Enard ka pesë vepra tashmë të përkthyera në gjuhën shqipe dhe janë botuar nga shtëpia botuese “Buzuku”, si “Busulla”, “Zona”, “Përsosësmëria e Qitjes”, “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët”, “Rruga e Vjedhësve”.

Sipas njoftimit të Ambasadës, në kuadër të misionit të tij letrar në Kosovë, Mathias Enard do të nderohet nga Komuna e Prishtinës. Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti do t’i ofrojë “Çelësin e Qytetit”.

Ambasada Franceze ka zbardhur agjendën e qëndrimit të tij dyditor në Kosovë:

E MARTË, 16 Tetor 2018

Vendi: Aleanca Franceze e Prishtinës, rruga Lah Nimlani 15

Ora 20:00 – Takim me publikun e Aleancës Franceze të Prishtinës, shkrimtari nënshkruan librat e tij për publikun.

E MËRKURË, 17 Tetor 2018

Vendi: Komuna e vjetër e Prishtinës (Zyra e Kryetarit)

Ora: 08:15- Ceremonia e dhënies së “Çelësit të Qytetit” nga Kryetari i Komunës z.Shpend Ahmeti

Vendi: Universiteti i Prishtinës (Departamenti i gjuhës dhe letërsisë frënge)

Ora: 10:30 – 12:00 Ligjëratë me titull “Meqenëse ata janë qenie njerëzore”

Vendi: Amfiteatri i Bibliotekës Kombëtare

Ora: 14:15 – 15:15 Takim i hapur me nxënësit e shkollave të mesme.

Mathias Enard, do të qëndroj në Shkup me datë 15 tetor, me 16 dhe 17 tetor në Prishtinë, ndërsa 18 tetor në Tiranë.

E gjithë kjo vjen si rezultat i bashkëpunimit rajonal, në mes të ambasadave të Francës në Prishtinë, Tiranë, Shkup.

Mathias Enard (1972 – Niort, Francë) është romancier tashmë i njohur botërisht, specialist i gjuhëve dhe kulturave orientale. Ka studiuar persishten dhe arabishten, duke qëndruar një kohë të gjatë në Lindjen e Mesme. Jeton në Barcelonë dhe ligjëron arabishten në qytetin e Barcelonës dhe të Berlinit.

Deri më tani është vlerësuar me çmime prestigjoze dhe veprat e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë. Vlen të theksohet se në romanin e tij ’’TREGOJU PËR BETEJAT MBRETËRIT dhe ELEFANTET’’, ka për personazh kryesor një shqiptar, Mesihin nga Prishtina.

*Të gjitha takimet dhe ligjëratat do të jenë në gjuhën frënge, dhe do të ketë përkthim shqip.